E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leks Vini, “i çmenduri” pas traditës

10/04/2009  Shkroi dhe grumbulloi thesare folklorike në 65 kg letër. Vdiq si lustraxhi, i vetmuar dhe në varfëri

Letër komitetit të partisë: Dua të vdes në dhe të huaj pasi Shqipëria nuk e meriton përkushtimin tim

ELBASAN- Leksi Vini, kështu e kanë njohur elbasanasit, Aleksandër Kostandin Josifin, njeriun që shkroi një mal me dorëshkrime dhe i la në arkivin e shtetit me shpresën se një ditë do të shërbente dhe puna e tij si grumbullues i këngëve, përrallave, gojëdhënave, traditës zakonore të Elbasanit, por edhe këngët apo poezitë të shkruara nga vetë ai një ditë do të kishin vlerë. Jeta e Leksi Vinit që njihet edhe si shkrues i disa këngëve qytetare elbasanase ishte mjaft e çuditshme. Një prej specialistëve të trashëgimisë kulturore në Elbasan, Kreshnik Belegu ka pasur fatin të shfletojë të gjithë masën e madhe me dorëshkrime. Ai tregon sesi përfunduan në muzeun etnografik dhe vlerat e padiskutueshme që gjenden brenda këtyre materialeve të shkruara në fletë të ndryshme madje deri në letra cigaresh. Belegu thotë se i gjithë ky material kërkon një studim të detajuar. Aktualisht Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore ka arritur të botojë dy vëllime një prej të cilave anekdota, gojëdhëna e përralla dhe së fundi materialin mbi traditat zakonore në qytetin e Elbasanit.

Dorëshkrimet

Para se të vdiste Aleks Vini duke qenë se nuk kishte asnjë njeri në këtë jetë i mori të gjitha shkrimet e veta dhe i dërgoi në arkivin e komitetit të atëhershëm të partisë, por meqenëse ato nuk kishin karakter të tillë që mund të ruheshin në atë arkiv atëherë rreth vitit 1978 përfundojnë në muze. Kur u ndërtua muzeu etnografik në vitin 1986 specialistët i morën vetëm një ekstrakt pasi bëhej fjalë për rreth 60 kg letër të shkruar. Që me inaugurimin e muzeut nga specialistët e atëhershëm u botua një ekstrakt. Ai ka dërguar kopje të materialeve të shkruara edhe në Institutin e Historisë dhe të Gjuhës. Leksi Vini më tepër është munduar të mbledhë folklorin e qytetit të Elbasanit. Ka filluar si poet ose bejtexhi është edhe kompozitor, por puna e tij më e madhe janë materialet folklorike të grumbulluara. Ai duhet të mbijetonte sidomos pas çlirimit dhe shkruante, mblidhte materiale gjatë gjithë kohës aq sa njerëzit e quanin të çmendur. Ai përshkruante vetveten. “Nuk e di, por besoj që nesër do të ketë vlerë”.

Jeta e Leksi Vinit

Aleksandër Josifi i lindur në Elbasan më vitin 1903 në një familje ortodokse mësimet e para i merr në shkollën shqipe të lagjes “Kala”. Siç e edhe tregon në biografinë e tij Leksi Vini shkon fillimisht në Korfuz dhe me pas në Athinë. Në vitin 1919 nga Greqia regjistrohet në një seminar fetar në Itali dhe më pas fillon të merret me krijimtari dhe krahas poezive të para fillon edhe të merret me kompozim. Kur kthehet në Shqipëri vazhdon të merret me krijimtari, por përfundon si i përndjekur politik në Maqedoni. Ai në poezitë e tij flet shumë për dashurinë e parë “Marian”. Me siguri ishte një dashuri e pafat pasi i zhgënjyer ai shkruan për dhimbjen që ka pësuar nga kjo dashuri. Kthehet në Shqipëri dhe vazhdon të shkruajë e të punojë, të mbledhë e të grumbullojë materiale. Duket se zhgënjimet e dashurisë kanë ndikuar shumë tek Leks Vini. Aty nga vitet ‘40 dashurohet me një normaliste, por edhe këtë herë zhgënjimi do të ishte i madh pasi vajza u martua me një tjetër. Poeti sentimental, por edhe i revoltuar i lagjes “Kala” u përqendrua tek të shkruarit dhe mbledhja e materialeve folklorike. Në një poezi dhimbjeje dhe vuajtjeje. Në ç’do vend që hasa/ Mblodha e shënova/ shyqyr zotit qe s’plasa/ Në këto 40 vjet që shkrova. Por jeta do të ishte edhe më e vështirë pas çlirimit kur ai vullnetarisht do të vendosej pranë shtëpisë së kulturës së qytetit ku edhe me ndihmën e Baki Kongolit si dhe muzikantët e tjerë si Gani Jahja e Kolë Popa kompozonte tekstet e këngëve që i hidhte në letër. Por dëshirat e tij shtriheshin edhe përtej këngëve. Në dorëshkrimet e tij ka lënë poezi, drama, poema, por edhe shumë materiale të grumbulluara për traditën e zakonet e Elbasanit. Gjithashtu ai hodhi në letër, përralla, gjëegjëza, fjalë të urta. Por ajo që shënoi më shumë jetën e tij ishte varfëria. Ishte një njeri që nuk e lëshoi asnjëherë penën nga dora, por si shpërblim mori varfëri të përhershme aq sa në moshën 60-vjeçare përfundoi lustraxhi këpucësh. Ai u zhgënjye aq shumë sa vendosi në atë kohë t’i shkruante Komitetit të Partisë një lutje që të largohej nga Shqipëria e të vdiste në dhe të huaj, pasi kjo tokë sipas tij nuk e meritonte dhe sidomos njerëzit nuk meritonin përkushtimin e tij. Duke qenë se Leksi Vini jetonte i vetmuar, merrej gjithë kohën me shkrime e kompozime, të gjithë e kishin cilësuar “të çmendur”. Kjo e shpëtoi nga reprezalja e regjimit në fuqi. Vdiq në vetmi dhe në varfëri të plotë.

Gati dhe botimet

Projektet kulturore me materialet e Leks Vinit

Aleks Vini nga vitet ‘20 gjendet i arratisur në Maqedoni dhe atje është dashuruar me një shqiptare. Zhgënjehet dhe shkruan vargje nga më të bukurat. Edhe në vitet ‘40 kur dashurohet me një normaliste sërish përfundon në zhgënjim. Pjesët e dashurisë dhe tragjedinë kur ajo martohet me një njeri tjetër, zënë një volum të madh në veprën e tij. Madje ai ka shkruar edhe drama. Një prej tyre ka si dramë një familje kosovare kur Kosova ishte e pushtuar nga serbët. Drama duhet studiuar nga specialistët. “Leksi Vini ka nevojë për një pastrim, pasi aty mund të gjesh shumë gjëra me vlerë”, thotë Belegu që është ndër të vetmit lexues të dorëshkrimeve voluminoze.

Në vitet e fundit të jetës, ishte i braktisur, nuk kishte familje, jetonte tek turizmi i vjetër si endacak. Ai vetë ishte ortodoks, por ishte afruar tek bektashizmi. Kur kishte mbetur pa punë shkruante këngë dhe shkonte tek muzikantët e shtëpisë së kulturës ku i kërkonte t’ia bënin edhe me nota. I njihen 3 këngë që këndohen edhe sot, por numri i këngëve është shumë herë më madh. Krijimtaria e Leksi Vinit njihet shumë pak ose aspak. Madje në vëllimin e tij janë shumë këngë të kompozuara me nota. Ai gjithashtu ka grumbulluar edhe këngë të tjera popullore. Në fond janë këngët e kompozuara dhe Qendra e Trashëgimisë kulturore ka në projekt grumbullimin dhe orkestrimin e këtyre këngëve duke realizuar një koncert.

Kreshnik Belegu e vlerëson Leksi Vinin edhe si një folklorist të mirëfilltë. “Leksi Vini ka dhënë më shumë kontribut në mbledhjen e folklorit. Vëllimin më të fundit për traditat zakonore botojmë ne për herë të parë dhe është veçantë në Shqipëri. Të gjitha gëzimet të lidhura me fenë ortodokse dhe myslimane. Kjo vepër është me shumë vlera pasi është sjellë me fanatizëm nëpërmjet hedhjes në letër duke mbajtur të gjallë e të pandryshuar traditën. Siç edhe ai thotë për përrallat që janë të grumbulluara derë më derë dhe nga më të vjetrit. Të gjitha këto janë grupuar në vëllimin e parë “Fjalë të urta”. Leksi Vini ka me mijëra vargje të cilat i ka shkruar dhe presin seleksionimin nga specialistët dhe një fond për të parë dritën e botimit. Folkloristi i harruar i Elbasanit që ia kushtoi jetën e tij mbledhjes, krijimit dhe kompozimit të këngëve elbasanase jeton në kujtesën e çdo familjeje të vjetër elbasanase për këngët e bukura, për këmbënguljen e tij që traditat e zakonet të hidheshin në letër, sepse një ditë do të merrnin vlerë.

Kur isha lustraxhi

Dhe nga ai afsh dëshpërimi/shënoj fatkeqësin’ të kujtimit që kam/Po ngordhja nga ky veprim/ Dola lustraxhi në dyqan.

Dhe porsa jam lustraxhi/ǒmë duhet ma kjo punë/Paskësh qenë shumë delenxhi/U dashke vra me gurë e dru.

Rri o Leksi, lum lala/ Kape furçën me lustru/ Mos na trego ma përralla/ se asnjë veshin s’ta vu

Vini vërdallë punës që ke/hidhe pendën me kalem/ Mos puno ma për atdhe/ se po ngordh posi qen.

Hajdeni , hajdeni moj shoqni/ Sa bukur po më trajtoni/Un’ mos vdeksha në Shqipni/ gjersa zemrën po më kalbëzon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›