Pagat dhe pensionet, premtim elektoral i Bodes

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur ndryshimet në paga dhe pensione sipas buxhetit bëhen në fund të sezonit veror, këtë herë qeveria premton rritje që në muajin maj Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2009 do të jetë 107 000 vetë. Fondi për pagat dhe pensionet në projektbuxhet llogaritet 8. 200 milionë lekë
Duket se qeveria nuk heq dorë nga premtimet para fushatës së zgjedhjeve, premtime këto që këtë herë lidhen direkt me xhepin e qytetarëve. Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të tjera, kur ndryshimet për pagat apo pensionet në bazë të buxheteve të rinj bëheshin në korrik apo gusht, tashmë këto ndryshime me baza rritjeje do të bëhen që në fillim të muajit maj. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje gjatë prezantimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2009 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, se “rritja e pagave dhe e pensioneve do të bëhet në muajin maj të vitit 2009, ndryshe nga vitet e tjera, kur kjo rritje bëhej në muajin korrik”. Deklaratat e ministrit të Financave shkojnë edhe më tej, pasi ai shprehet se “qeveria jonë e përmbushi premtimin për dyfishimin e pagave në arsim dhe shëndetësi dhe kemi bërë rritje të ndjeshme edhe për pjesën tjetër të pagave.
Investimet, pjesa më e madhe e buxhetit
Plot 90 miliardë lekë do të jetë shuma që do të shkojë për investime publike gjatë vitit 2009, shumë kjo e vënë në dispozicion nga buxheti i ri i shtetit. Në fjalimin e djeshëm të ministrit të Financave, Ridvan Bode, u vu theksi se një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave u përket investimeve infrastrukturore, ku u la të kuptohet se, pikësëpari, bëhet fjalë për rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Kreu i Financave deklaroi se “në dispozicion të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për realizimin e programeve të saj janë pabashkuar 57 miliardë lekë, ku 98 për qind e të cilave i përkasin infrastrukturës rrugore”. Deklarata e Bodes lidhet në fakt edhe me vendimin e para disa ditësh të Këshillit të Ministrave për çeljen e procedurave të tenderimit lidhur me ndërtimin apo përmirësimin e disa segmenteve rrugore.
Rritja ekonomike
“Në vitin 2009 kemi programuar një rritje ekonomike afro 6.3 për qind, ose rreth 0.3 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2008. Kjo rritje rezulton e qëndrueshme dhe njëkohësisht më e larta midis vendeve të rajonit dhe më gjerë, ndërsa politikat e programuara në buxhetin afatmesëm kanë tendencë rritjeje dhe përshpejtimi, për të arritur në vitin 2011 një rritje ekonomike mbi 7 për qind”, deklaroi dje Bode, duke shtuar më tej, se inflacioni në Shqipëri vijon të mbetet edhe për vitin që vjen në objektivat e vendosur nga Banka e Sipërisë.
Të ardhurat fiskale
Më tej, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se “në vitin e ardhshëm ne programojmë që të që të ardhurat fiskale të mbeten në nivelin 28.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, aq sa ishin edhe në vitin 2008”. Ai shtoi midis të tjerash, edhe faktin se të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të madh historik, sa dyfishi i të ardhurave në vitin 2004, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë rritje në total të tyre. Sipas Bodes, rritja e nivelit të shpenzimeve erdhi për shkak të programimit më të mirë dhe kapaciteteve të ministrive për investime dhe rritjes së të ardhurave të buxhetit.
Arsimi dhe shëndetësia
Ministri Bode, duke u ndalur në reformat e parashikuara për vitin 2009, tha se arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy sektorët prioritarë. “Dy reforma thelbësore që do të fillojnë në vitin 2009, janë ato në shëndetësi dhe arsim, të cilat lidhen me kalimin e fondeve nën administrimin e Institutit të Kujdesit Shëndetësor për sa i përket sektorit shëndetësor, dhe universiteteve sa i takon sektorit të arsimit”, tha Bode. Sipas tij, ky hap synon përmbysjen e situatës aktuale të spitaleve në vendin tonë, pasi edhe pse fondet u rritën në tre vitet e shkuara, situata mbeti e njëjtë. Për sa i takon arsimit, ministri shtoi se “fondet për universitetet do të jepen në formën e granteve”.