E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita na premtoi zgjidhje”



Erald Kapri

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut çavushoglu, deklaroi dje se kishte marrë nga opozita shqiptare premtimin për zgjidhjen e krizës politike, që në muajin shkurt. Deklarata e çavushoglu, ku ai e cilësoi grevën e urisë si vendim të papjekur të opozitës, shkaktoi reagimin e kësaj të fundit nëpërmjet deputetit të PS-së Besnik Baraj, i cili tha se reagimi i Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së ishte i papjekur dhe i keqinformuar. Nga Qipro, ku janë mbledhur kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, çavushoglu tha se në muajin shkurt kur delegacioni i KiE-së erdhi në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike, i kërkoi opozitës që t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për hapjen e kutive të votimit, e më pas kjo gjykatë të merrte një mendim ligjor nga Komisioni i Venecias. "Ne i kërkuam deklaratën tonë me shkrim opozitës, që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias. Ne kemi një trup ligjor. Në atë kohë opozita nuk e bëri këtë gjë, por na premtoi për zgjidhje. Ajo ende ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Mendoj se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion", tha çavushoglu. Duke qëndruar në situatën politike në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut çavushoglu, e vlerësoi grevën e urisë të mbajtur për 20 ditë nga opozita para Kryeministrisë, si një veprim të papjekur të opozitës. "Së pari bojkoti dhe greva e urisë është një qëndrim i papjekur në demokraci. Populli i ka votuar deputetët për të qëndruar në Parlament për të mbrojtur të drejtat e tyre në shumë fusha, qofshin në opozitë, qofshin në Qeveri. Dhe kjo është arsyeja pse njerëzit votojnë në zgjedhjet demokratike", tha çavushoglu. Deklarata e tij u komentua edhe nga opozita, e cila kundërshtoi vërejtjet e çavushoglut. Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj tha se qëndrimi i çavushoglut është i papjekur, dhe se sipas tij, ai është keqinformuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Qipro në takimin e parlamenteve të vendeve të KiE-s. "Shprehim keqardhjen që z. çavushoglu nuk është i informuar sa duhet apo më saktë është i informuar në mënyrë të njëanshme nga zonja Jozefinë. Por duke e vlerësuar megjithatë interesimin për Shqipërinë, e informojmë se opozita ka bërë e po bën gjithçka ka në dorë për zgjidhjen e krizës. Dhe fjala, i papjekur në këtë rast do t'i shkonte qëndrimit të zotërisë ndaj opozitës shqiptare, jo qëndrimit të opozitës ndaj krizës, që as e kemi shkaktuar ne, e as po e thellojmë ne, që kemi gatishmërinë për kompromis", reagoi Baraj.
Duke e cilësuar një qëndrim të njëanshëm deklaratën e çavushoglut, Baraj tha se opozita është e gatshëm të informojë atë mbi përpjekjet e saj për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. "Prandaj bashkë me konsideratën më të lartë, i shprehim zotit çavushoglu gatishmërinë tonë për ta informuar plotësisht, në mënyrë që qëndrimi i tij të mos jetë pa dashje i njëanshëm, po pjekurisht mbi palët", tha më tej Baraj. Nga ana e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës tha se ka pasur përpjekje për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri. "Ne jemi përpjekur që problemi të zgjidhet. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe progres. Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për të përmbushur standardet e Asamblesë Parlamentare, që do ta aftësojnë në një të ardhme të afërt, të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE", tha ai. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës tha më tej se procesi i liberalizimit të vizave "është një hap thelbësor dhe shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne e mbështesim plotësisht këtë proces".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›