E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, qeveria i jep tapi zaptuesve

• Maxhoranca do t'i dhurojë pronat zaptuesve të tokave, të cilët e kanë marrë në mënyrë të padrejtë gjatë zbatimit të ligjit 7501 të tokave bujqësore.

BLEDAR HOTI

Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka përcaktuar se shteti duhet t'i japë kundrejt pagesës zaptuesve të tokave që kanë marrë në mënyrë të paligjshme në shpërndarjen e tokave bujqësore që kanë qenë pronë e ndërmarrjeve bujqësore në kohën e sistemit komunist. Një e drejtë e tillë i jepet nga p/ligji "Për rishikimin e titujve të pronësisë të dhëna gjatë këtyre viteve". Në nenin 9 të këtij p/ligji përcaktohet se nëse dikush ka marrë sipërfaqe në kundërshtim me ligjin 7501, nëse kjo tokë nuk ka pretendime nga palët e treta mund t'i jepet si pronësi kundrejt një pagese. Çmimi që do të paguajë ky përfitues do të përcaktohet mbi bazën e hartës së vlerës së pronës së miratuar nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. P/ligji i qeverisë ka qenë shumë i debatuar dhe mes deputetëve të opozitës, ku socialisti Ylli Bufi ka pasur përplasje serioze për nenin 9 dhe me kolegët e partisë së tij, Ylli Bufi. Ministria e Bujqësisë solli disa variante të hartuara të ndryshme, duke realizuar një farë ndryshimi, ku përjashton përfituesit e kundërligjshëm që kanë marrë pronat në zonat turistike. Eshtë vendosur se kjo tokë duhet të merret në pronësi nga ana e shtetit. Ministria e Bujqësisë, pas debateve të shumta në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese përcaktoi se nga dhënia e titujve të pronësisë do të pengohet nëse verifikohet se kjo tokë është e ndonjë subjekti të shpronësuar. "Nuk lejohet ofrimi i tokave bujqësore: Të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalimin në pronësi nga dispozitat e ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore". Të ish-kooperativave bujqësore, që shtrihen në zonat e zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave si dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente që kanë kaluar në zërin kadastral tokë urbane (truall) dhe përfshihen brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara", thuhet në propozimin e Ministrisë së Bujqësisë për nenin 9 të këtij pr/ligji. Kryekomisioneri Ylli Bufi është shprehur kundër frymës së nismës qeveritare. "Edhe duke parë riformulimin që keni bërë ju por edhe variantin e mëparshëm , unë si Ylli flas, jam kundër nenit 9 dhe në tërësi jam kundër këtij projektligji. Besoj që ky jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por do të krijojë më shumë shqetësime nga sa kemi deri më tani. Sipas meje do ketë një efekt negativ dhe unë personalisht jam kundër këtij projektligji", deklaroi Bufi. Qëndrimit të tij i është kundërvënë dhe socialisti Ndriçim Hysa, i cili ka deklaruar se, "është për zbatimin e ligjit 7501. Nuk duhet të trembemi nga ndryshimet pozitive, për sa kohë nuk preken tokat e ndara me ligjin 7501 dhe fermat". Pas këtyre qëndrimeve Bufi ka deklaruar se, për nenin 9 të p/ligjit do të shkohet me dy qëndrime, një që të votohet ndryshimi i qeverisë dhe një të hiqet fare, e drejta e dhënies së pronësisë nga komisionet e reja të tokave.

Versioni i parë
Në nismën e parë të qeverisë përcaktohej se do të përfitojnë toka të gjithë njerëzit që kanë marrë në mënyrë të padrejtë pronat e në bazë të ligjit 7501. Nëse dikush ka marrë më shumë se i takonte ligji nga ndarja e tokës, qeveria ia jepte atij të drejtën të bëhej pronar i tokës kundrejt një pagese të përcaktuar nga Agjencia e Kthimit të Pronave. Këtu përfitonin dhe ata që kishin përfituar toka në zonat turistike të vendit.

Versioni i dytë
Në rishikimin e nenit 9, ministria propozoi përjashtimin nga përfitimi i titujve të pronësisë për zonat turistike dhe kategoritë që kanë përparësi turizmin. Gjithashtu është përcaktuar se duhet të përjashtohen nga kjo e drejtë dhe nëse toka e zënë në mënyrë të paligjshme i përket ish-pronarëve. Për këtë shteti duhet të bashkëpunojë me AKKP-në nëse toka që do të jepet për pronësinë është e lirë, shtetërore apo e ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›