E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët në grevë pa afat: Ndal privatizimit

• “Të ndalohet menjëherë procesi i privatizimit të vendburimeve të kromit nga firma fantazma”.

BULQIZE/ ENVER DOÇI

 Kështu janë shprehur dje minatorët e Bulqizës gjatë një tubimi të organizuar në orët e para të mëngjesit, në ambientet e firmës koncesionare.
Minatorët e Bulqizës përmes organizmit sindikal kanë protestuar paqësisht, duke kërkuar ndaljen e abuzimeve me privatizimin e sektorëve minerarë. Kjo lidhet me faktin që një zonë krommbajtëse, e cila është privatizuar nga Ministria e Ekonomisë largoi nga puna të 75 punëtorët që punonin në sektorin D. Vendimi i METE-s ka acaruar minatorët dhe sindikatën e tyre. Protestat janë paralajmëruar pa afat dhe të fuqishme nga ana e minatorëve dhe drejtuesve të Këshillit Sindikal. “Nuk jemi aspak dakord me ministrinë e Rulit, - janë shprehur ata, - që po ua shesin vendburimet e kromit firmave fantazma për shfrytëzimin e mineralit të kromit”. Në një letër dërguar ministrit Ruli dhe administratorit Beqja minatorët shkruajnë: “Ne si sindikatë ju njoftojmë se kemi ndërprerë punën në të gjithë sektorët e minierës së kromit Bulqizë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi shqetësues. Ju informojmë se largimi i minatorëve nga puna u argumentua për arsye sigurie, ndërkohë privatët vazhdojnë të punojnë në po ato fronte pune ku dolën të papunë 75 minatorët. Kërkojmë që firma private të largohet totalisht nga pjesa e koncesionit të minierës”. Sindikata e Minatorëve, sipas rrethanave që do të krijohen nëse nuk do të ketë një reagim të shpejtë të ministrisë përkatëse, do të përshkallëzojnë grevat, kësaj radhe duke dalë në shesh dhe më pastaj në rrugën nacionale për ta bllokuar atë deri sa t’u jepet zgjidhje kërkesave të tyre. Minatorët ngrenë akuza të shumta për Ministrinë e Ekonomisë. Sipas tyre largimi nga puna i 75 minatorëve u motivua me kushtet e sigurisë në punë, ndërkohë menjëherë pas largimit të tyre nga frontet e punës janë firmat private që kanë rinisur punën pikërisht aty ku punonin minatorët që kishte punësuar firma koncesionare “Albanian Chrome”. Drejtuesit e protestës kanë pohuar se hartat e firmës koncesionare janë falsifikuar ditët e fundit, duke veçuar sektorë të pasur të saj për njerëz të lidhur me pushtetin dhe politikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›