Leksione demokracie nga komshiu
Nëse nuk kemi kuptuar se ç’kanë grekët më shumë se ne, mjafton të shikojmë leksionin - si politik ashtu edhe demokratik - që i treguan botës, pas zgjedhjeve të parakohshme. Kriza ekonomike e brendshme e Greqisë bëri që kryeministri Karamanlis të thërriste zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e reja u bënë paqësisht pardje dhe sikundër besohej, fitoi kundërshtari socialist Jorgo Papandreu (i PASOK), kurse Kosta Karamanlis e përgëzoi sapo doli rezultatin zgjedhor - e njëkohësisht, dha dorëheqjen si lider i partisë Nea Demokratia.
Të kuptohemi, ne këtë nuhatje e kishim përfytyruar ose/dhe kuptuar qysh në lashtësi, kur grekët kishin diçka më shumë se të tjerët që luftonin për mbijetesë, pra, siç thotë Aristoteli, kur e kishin siguruar mbijetesën, edhe mund të filozofonin. Tani s’po them se ishin shumë hapa përpara, por në filozofi, kulturë, ushtri e ekonomi kishin diçka më shumë, sepse mjafton të kujtosh se kur shqiptarët kishin Gentin e Teutën nga shekulli i tretë para Krishtit, ata qysh në shekullin e gjashtë kishin pasur Sokratin, Platonin, Perikliun, e sidomos Safon ose Aspasianin.
Mirëpo që të hyjmë në temë aktualiteti, ky krahasim kulturor mund të përthyhet edhe në procesin postzgjedhor. Pasi doli rezultati i zgjedhjeve, Rama e uroi Papandreun për fitoren, por ka 2 muaj plot që ka përfunduar procesi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri dhe si kryetar i opozitës, E.Rama ende nuk e ka uruar kryeministrin e vendit te vet, por në vazhdën e bojkotit ka nxjerrë dështakët të ulërasin në konferenca llafoshtypi. Me datën 10 tetor kryetari i PS-së ka vendosur të krijojë një klimë artificiale tensioni me një protestë huligane ndaj qeverisë. Edhe pse në kohë të tjera, mund të pranohej krahasimi Rama-Papandreu dhe Berisha-Karamanlis – gjithmonë, për qëllime programore dhe ideologjike - sot kjo gjë s’mund të bëhet, sepse gjërat kanë ndryshuar dhe informacioni është i shpejtë dhe kultura qarkullon më tepër, pra shumëfishohet me shpejtësinë e dritës; kriza ekonomike që kapi Greqinë ishte në disa sektorë të rëndësishëm dhe që kërkonin një frymëmarrje legjislative më efikase të cilën Kosta Karamanlis nuk e kishte as në aleancën e vet qeverisëse... Ja pse ai u detyrua të bëjë zgjedhje të reja. Disa media të Tiranës po tregojnë me çiltërsi e pacipësi manipulimin e tyre informativ, apo siç quhet në terminologjinë e gazetarisë, seleksionojnë vetëm pjesët që u interesojnë mentorëve të tyre politikë. Doktrina komuniste e emulacionit të figurave politike të jashtme kur i intereson liderëve ka shkuar deri aty sa s’bën më. Rama nxjerr nga arkivi opozitën e Iranit të Mir Mussavi, kur e di mirë se Mussavi përpara se të dilte kandidat kundër Ahmadinejad-it ishte njëri nga konservatorët më të egër të shtetit pers. Dhe kur flasim për konservatorë në Iran, e dimë mirë se për ç’oksidentalë po flasim. Ndoshta Balla as e di fare historinë e Iranit, prandaj të mos e zgjasim me identifikime mediatike. Të mos kujtojmë më tej se i kemi rrahjet e zemrës në sinkron me kohën digjitale dhe jo me klesidrën e Egoarkut Rama.
Kur dëgjon një njeri si Taulant Balla kujton se rrahjet e zemrës i paskemi me ayatollahët e Iranin, dhe jo të Evropës, prandaj atëherë këtu kemi konflikt interesash? Interesi jonë i shpallur është Oksidenti, kurse i Ballës me shokë është Aksidenti. Por në të vërtetë a e kupton Balla se shefi i tij i ngjan më shumë delinkuentit të koordinatës politike sesa një profili të ordinatës demokratike? Ndoshta Balla si gangster politik që është, provokon me urdhër siç ka dhënë prova në sallën e parlamentit, të cilit siç duket, i mungon fort shumë rroga dhe kërkon ta kompensojë me show financiarë përpara bahçes së selisë së PS.
Edhe të tjerë po blejnë aksione nga Edi Rama për stresin e përditshëm politik, që krijohen nga investimi permanent në tregun e bojkotit të Kuvendit. Dhe protestat nuk janë gjë tjetër veçse një konfirmim i kësaj orverdoze urrejtje që ka Rama ndaj demokratëve. Politika për Edi Ramën është mënyra më e shpejtë dhe më efikase për të rritur dhe mbrojtur biznesin e vet. Ai ka qenë gjithmonë kështu, qëkur është zgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës, edhe kur shembtte ndërtimet pa leje, të lejuara nga Albert Brojka, apo edhe kur shembtte pallatin a bizneset e Fidel Yllit, i cili sot është deputet për longa manus të tij. Vjersha e tij bukolike se “zgjedhjet janë të deformuara” mbetet një banalitet i zgjeruar nga kompleksiteti infantil, thjesht një sakat emocional, që edhe kur flet, ngjan se po mbjell një infarkt kardiak me ato fjalët breshër të zi.
...