Stërmundim për shpërnguljen e krizës

Pasgjedhjet, në Shqipëri, janë mbisunduar nga tri zhvillime:
1. Kriza, një fruth i egër politik, në Partinë Socialiste, nga sëbrendshmi, zjarrminë e nxorri sëjashtmi. Tronditja me themel e saj, mëtohet të përballohet nga tri formacione, të ristrukturuara nga zgjedhjet: më të konservatorët e së vjetrës - mentarë, më të pasurit e listës së deputetëve - qendrestarë, më të rinjtë e bashkisë - guximtarë.
2. Partitë fituese të së djathtës shkuan qetësisht në koalicion. Ato, pa vonesë, i dhanë qeverisjes shpejtësinë e kërkuar, për zgjidhjen, sidomos, të tri detyrave madhore: vazhdimin e reformave dhe mbylljen e vitit me synimin e shpallur ekonomik, arritjen e statusit të kandidatit për në BE dhe heqjen e vizave për në vendet e zonës Shengen.
3. Personalitete të larta ndërkombëtare, pasi pritën të publikoheshin raportet zyrtare të organizmave që legjitimuan zgjedhjet, shpallën mbështetjen për Shqipërinë, qeverisë së koalicionit i ofruan bashkëpunim të gjithanshëm, opozitës i përsëritën thirrje të prera që të ndërpresë bojkotin, për zhvendosjen e betejës nga rruga në sallë.
Kriza brenda Partisë Socialiste nuk mbyllet, nga që shkaqet mbeten po ato. Kryetari dhe bashkëpunëtorët përreth, e të tri strukturave - mentarë, qendrestarë dhe guximtarë, shohin ta kryejnë zgjidhjen e krizës nëpërmjet shpërguljes së saj. Kjo strategji u përpunua qysh me këmbënguljen e kundërshtarëve për largimin e kryetarit, në bazë të statutit dhe si humbës i zgjedhjeve. Bojkotimi i Kuvendit, hapja e kutive të votimit për të rivlerësuar rezultatin, kundërshtimi i fituesit për çeljen e tyre, diferenca e ngushtë humbës-fitues, synojnë ta bëjnë strategjinë të rrokshme, për t’u mbështetur nga anëtarësia socialiste. Kjo u lakua pa ndonjë theks të veçantë derisa u pre nyja: zgjedhja përsëri e Ramës si kryetar. Kurse humbësit e paraparë, të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, e përshtatën politikën mbi dy rrafshe: mbajnë dëshpërueshëm, të shpërfaqur, mendimin kundër Ramës në dukje i fuqizuar në parti dhe sillen rrotull humbësit Rama për të mos pësuar largimin nga partia. Ata, të gjithë sa janë, përgjojnë ndër ethe, a mos do të spastrohen nga rolet e deritashme në drejtim? Droja e tyre nuk është ndjesi, por arsyetim mbi përsëritjen si proces: siç, në Kuvend u dyndën të rinj të panjohur në parti dhe biznesmenë të pasur për partinë, edhe në forumet e ardhshme të mund të caktohen po këta, t’u zënë karriket atyre që mendojnë ndryshe. Atëherë, kur të ndodh kjo, pritet të shihet se çfarë do të bëjnë kundërshtarët: Do të pranojnë nënshtrimin ndaj Ramës? Do të vijojnë përpjekjet për të larguar Ramën? Do të ndajnë Partinë me Ramën? Apo do të pasohet rrjedhja Shpëtim Idrizi për të dobësuar Ramën?
Hapi i parë i zhvendosjes së krizës llogaritet të jetë kështu: Rama nuk është më “kryetari në detyrë”, por kryetari i zgjedhur nga kongresi i jashtëzakonshëm.
Hapi i dytë numërohet bojkoti, domethënë, lënia gjysmëzbrazët e sallës së Kuvendit.
Hapi i tretë mendohen protestat. Me dy gjysma - sallë e zbrazur e Kuvendit nga deputetët socialistë dhe rrugë të mbushura me militantë të majtë - të formohet e tëra. Gjykohet që, kjo trysni, do të sjellë këto përfundime:
Kryetari Rama të mos quhet më humbësi, por njeriu i duhur për ta çuar partinë në fitore.
Të shtyhet përfitimi i statusit të vendit kandidat.
Të vonohet heqja e vizave.
Të mund të çohet vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nëse kjo nuk arrihet, të gjitha këto të shërbejnë si anestezi harrese të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, për t’u dukur në zgjedhjet e tjera ngjashëm me rizgjedhjen tjetër të kryetarit.
Mirëpo, në Partinë Socialiste, edhe pse janë të vetdijshëm që, kjo lojë politike kundër qeverisjes së koalicionit, me një forcë nga e majta, kundërshtare e rreptë e saj, nuk fitohet, i tërë stërmundim bëhet për shpërnguljen e krizës në anën tjetër, qetësimin e gjendjes kësaj ane, për shpëtimin e kryetarit të dobësuar Rama, mbijetimin e tij për të provuar një mundësi të dytë pas katër vjetësh, dhe mundjen e Lëvizjes së Mendimit Ndryshe.
Por, kryetarit që humbja i erdhi nga mënyra e drejtimit të partisë, vështirësi të papërballueshme do t’i vijnë nga humbja përballë qeverisjes:
Sepse, koalicioni qeverisës do të kryej reforma domethënëse.
Sepse, deputetët socialistë do të kthehen në Kuvend nga vetbojkoti, në mos si grup i tërë, fillimisht ata që mendojnë ndryshe, më pas edhe të tjerët, si ata.
Sepse, protestat nuk do të mbijetojnë, se nuk ka shtysë protestuese, nga që kodi zgjedhor qe hartuar prej opozitës, nga që gjysma e komisionerëve në çdo qendër votimi kanë qenë të opozitës, nga që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar njëzëri për rezultatin, nga që organizmat ndërkombëtare dhanë vlerësimin e tyre, nga që zyrat vendimarrëse të perëndimit demokratik i përsëritin Partisë Socialiste t’i kthehen jetës parlamentare dhe misonit të rëndësishëm të opozitës. Ashtu, siç pranimi në NATO nuk u pengua dot nga të vrerosurit, as statusi i kandidatit për në BE, as heqja e vizave nuk do të mund të vonohen me protestat e thirrura, që çeljen e kutive e kanë gjasë (alibi), mbylljen e dyerve të BE e kanë gasë (qëllim).
Kjo do të vijojë kësisoj deri në zgjedhjet e ardhshme vendore: Partia Socialiste nuk do ta hedhë dot krizën në fushën e kundërshtarit dhe as ta pranojë si të vetën. Suksesi i qeverisjes dhe zgjedhjet vendore do të detyrojnë që kriza të zgjedhet aty ku lindi dhe vazhdon të mbetet - brenda Partisë Socialiste. Kjo nuk do të mund të ndodhë më herët apo menjëherë, por duke u zgjidhur dikur, kjo do të sjellë ndërprerjen e mandatit të Ramës, një humbje tjetër, e llogaritur për të fituar kohë.
...