Për nostalgjikët e së shkuarës...

Publiku është i njohur tashmë me arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat: ekonomi, arsim, kulturë, shëndetësi e bujqësi.... Është i njohur edhe me ndryshimet thelbësore të institucionit të familjes, ndryshime qe tentojne drejt mirëqenies. Këto, e shumë më tepër (do të dilte një listë shumë e gjatë), janë jetësuar në dy dekadat e fundit, mbas lëvizjeve demokratike të viteve `90.
Por.., ke parë ti që një pjesë e shoqërisë nuk e pranon këtë realitet. Ata, një e dy, hidhen përpjetë duke ulëritur: “S’na bëri gjë Partia Demokratike..., pse, me Berishën do dalim pa viza në Evropë ne?! Kuuurrë!..., e njeh bota Berishën..., prralla!!... E ç’na bëri Berisha me Partinë Demokratike?!.., asgjë nuk bëri, ai vetëm llafe e ulërima ka... As ne nuk jemi për komunizëm.., jo.., nuk e duam atë...(dhe i këpusin një të sharë vendçe), po Partia Socialiste di të qeverisë.., ka kuadro e njerëz të ditur.., me inxhinierë, doktorë, ekonomistë..., që ta bëjnë Shqipërinë ...lule.. Jo, po këta demokratët do të na bëkan rrugë.., centrale elektrike e ca gjëra të tjera... Broçkulla.., i bëjnë dot si ato hidrocentralet e lumit Drin??.., nuk i bëjnë.., ahere??!!...”
Kështu e mbajnë me llafe njëri-tjetrin, duke lavdëruar herë pas here kohën e komunizmit “fitimtar”. Këtu mendoj se “kanë të drejtë”, se janë pikërisht ata që përfituan nga ajo kohë, ofiqe e grada, shkolla për fëmijët e të afërmit e tyre, vajtje-ardhje jashtë shtetit, prej nga sollën për vete, orendi e pajisje shtëpiake, të rralla e shumë të vlerësueshme. Vendosën ndër punëra shtetërore të gjithë njerëzit e tyre, dhe brohoritnin me hosana e baraba për qeverinë e partinë e tyre, që u solli “të mirat që gëzonin”. Kishte prej atyre (dhe nuk ishin pak), që kishin vetura pas, me shoferë e karburante të paguar, me dieta që shumëfishoheshin nga ekonomistët kontabël (servilët e tyre). Këto, e të tjera përfitime të natyrave të ndryshme, u japin “të drejtë” atyre të flasin me superlativa për atë kohë.
Kur ishte koha e kooperativave bujqësore - kohë e cila mbahet mend si më e vështira, kur edhe buka ishte me racion, qumështi, mishi, fasulja, kafja e shumë artikuj të tjerë, jetikë për popullatën, ishin gjithashtu të racionuara e me lista. Kujtojeni 100 gramshin e kafes një herë në muaj, mishin, një apo dy herë në vit (më duket se për 1 Maj dhe për vitin e Ri). Kujtojeni kohën e heqjes së të gjitha kafshëve shtëpijake të fshatarit (heqje e detyruar..), deri edhe në një derrkuc apo 4-5 pula... Atij që do t’i gjendej një derr në shtëpi, arrihej t’i hiqej triska e frontit, dhe, e dimë të gjithë se çdo të thoshte të mos ishe anëtar i frontit, d.m.th. të mos të të shkelte njeri në prag të shtëpisë, edhe sikur të kishe një njeri të vdekur. Ajo familje ishte e deklasuar dhe lufta e klasave ishte ngritur në zenit. Po si do të jetonte një familje fshatare pa tokë e bagëti, pa mish, qumësht, gjalp, djathë e të tjera?!.. Duke biseduar me një mikun tim, kirurg në mjekësi, e pyeta se si po e kalonte, a po lodhej në punë, e të tjera.., dhe ai m’u përgjegj: “Ç’lodhje ore..., lodhje kishim para këtyre viteve, kur operonim për ulçera stomaku 7-8 raste në javë.., tani shkon më shumë se një muaj që nuk kapim bisturi me dorë për stomak...”. “Po ç’të jetë kjo? - e pyeta. “Çështje ushqimi, - u përgjegj - nuk është asgjë tjetër. Asokohe ushqeheshin me bukë misri hibrid e turshi të kripura mirë... E ku mban stomaku këtë lloj ushqimi!... Sot kanë qumësht, vezë, mish e bukë gruri. Ulçera nuk bashkëjeton me këto ushqime”. Kështu më foli mjeku kirurg...
Por nostalgjikët e komunizmit nuk i durojnë dhe nuk i pranojnë këto arsyetime, si të mira të sjella nga ndryshimi i qeverisjes. “Jo, - thonë ata - i kishte ardhur koha që të ndryshonte qeverisja...”. Po kur u përmend lëvizjet antikomuniste studentore të ’90-s, kërcejnë menjëherë duke kundërshtuar: “...atë e bëri partia...”. O kohë, o vdekje!..., po edhe lëvizjen studentore, rinore, antikomuniste nën drejtimin e profesoratit të tyre, doni ta përvehtësoni??!! A i harroni përpjekjet e Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit &co për të atrofizuar këto lëvizje? I harroni mbledhjet e tyre të njëpasnjëshme për të mundësuar krijimin e ndonjë përçarjeje, e më pas të mund të vazhdonin sundimin? I harroni grevat e urisë të studentëve, të minatorëve, të qytetarëve, që kërkonin rrëzimin e qeverisë komuniste - kush i organizonte, partia e punës? Protestuesit paqësorë të studentëve dhe të popullit shkodran që kërkonin liri-demokraci, kush i vrau? I vranë shkodranët vetë, apo i vrau dega e punëve të brendshme e partisë së punës? Po dyndjen e të rinjve për në ambasadat e huaja në Tiranë, bashkë me familjarë të familjes Popa të Durrësit, ndikimi i të cilëve, i kaloi shumë shpejt kufijtë e Shqipërisë, në vështrimin politik të çështjes, kush e organizoi? Këto pra, dhe shumë të tjera si këto, a u bënë nga organet e diktaturës së proletariatit nën udhëheqjen e partisë së punës së Shqipërisë (që është partia komuniste), që të rrëzohej qeverinë e tyre? Këto janë proçka që nuk i beson njeri!
Partia Demokratike me qeveritë e saj, vetëm e në koalicion, bëri reformë në shpërndarjen e tokës fshatarësisë, atij fshatari që kishte dekada që nuk e kishte në përdorim tokën e vet. Nuk po përmendim formën e aksioneve të përdorura për ngritjen e kooperativave, të cilat ishin makabër, nuk po përmendim as heqjen e dhënien e triskave “të famshme” të frontit, të cilat ishin bërë një mjet politik i frikshëm për popullatën, por t’i marrësh fshatarit tokën dhe blegtorit tufën e bagëtive, e ke pushkatuar ekonomikisht. Qeveria Demokratike lejoi lëvizjen e lirë të popullatës, aty ku ata vetë e mendonin se do të ishin më mirë. “U boshatisën fshatrat - thanë nostalgjikët e socializmit - ç’bëhet kështu?!..” Mirëpo asnjëri nuk është kthyer, po të ishin më keq atje ku vajtën, dita e tretë do t’i sillte në shtëpinë e vjetër, e në vend që të ndodhte kjo, ndodhi diçka tjetër... shtëpitë e vjetra në fshat, në shumë vende, u rindërtuan duke u kthyer në vila të vërteta, të pajisura mrekullisht, dhe në kohë pushimesh kthehen e çmallen me vendlindjen. “Shteti ynë nuk ka kufij, nuk ruhet, aty hyhet e dilet si në një vath...”, thanë nostalgjikët e socializmit, duke aluduar për diversantë e revizionistë, por shteti demokratik nuk kishte ndërmend të vriste djemtë e shqiptarëve dhe t’i shëtiste duke i tërhequr zvarrë nëpër qytete, siç bëri qeveria komuniste e Ramiz Alisë. Shteti demokratik lejoi lëvizje të lirë, brenda dhe jashtë shtetit, por nostalgjikët vunë kujën: “... na morën në qafë me fëmijët, do punojnë për botën, kaluan dete e oqeane e s’dimë ku janë...”. Por ata vetë sot kalojnë tre-katër muaj pushime në vit, në mënyrën më të mirë të mundshme tek fëmijët jashtë shtetit. Të tjerë kanë banim të përhershëm, me shtëpi të tyre jashtë shtetit, deri edhe në SHBA e Kanada, të blera me paratë e tyre, të fituara nga djemtë e vajzat e tyre. Jo vetëm kaq, po shqiptarët janë shumë afër kohës kur me pasaportat e tyre do të lëvizin të lirë në Europë, në kontinentin të cilit i përkasin... “Mirë-mirë - thonë disa të tjerë - po vëreni se ç’bëhet me fshatin, mbetën tokat pa punuar”. Të drejtë kanë, tokat janë një mjet i rëndësishëm prodhimi e duhen shfrytëzuar në maksimum. Por është interesant fakti se, edhe duke qenë kështu, tregu është i mbushur plot me të gjitha produktet bujqësore e blegtorale, shumë të rralla janë ato familje që ushqehen me bukë misri si dikur. Të gjithë hanë bukë gruri të gatuar në mënyrën më speciale të mundshme. Ky fakt nuk tregon fukarallëk. Por kjo mirëqenie nuk duhet të bëhet shkak që tokat të mbeten të pashfrytëzuara, ndaj edhe qeveritë, për këtë gjë, kanë projekte në planet e tyre të qeverisjes. Siç diktohet lehtë, veshmbathja e popullatës është një tregues i kapshëm për të vërtetuar shkallën e mirëqenies. Aspak nuk e teproj nëse shprehem se në qeverisjet komuniste nuk kishte fëmijë shkolle që të mos i kishte, së paku katër arna në rrobat e tij. Kjo gjendje ishte edhe për të rriturit. Sot nuk të sheh syri një person që të ketë arna në rrobat e tij. Të shkëlqejnë sytë kur shikon fëmijët që venë në shkollë, të veshur si lule, me rroba të reja e të hekurosura, gjatë gjithë vitit. Do të thotë dikush se ato ishin rroba të ardhura si ndihma nga Caritas-i e të tjera organizma mirëbërëse... Po e pranojmë për një moment (megjithëse ato ka afro një dekadë që s’kanë aktivitet), por qeveria komuniste shqiptare, mbas luftës së dytë botërore, nuk e pranoi ndihmën e shoqërisë UNRRA, me argumentin se “populli shqiptar nuk ka nevojë për ndihmën tuaj...” E pra ishte qeveria e Partisë Demokratike, prandaj edhe erdhën ndihmat, jo vetëm tek ne po në të gjitha “ish-Demokracitë Popullore” që rrëzuan komunizmin. Më duhet të theksoj se po mbushen 7-8 vjet që ndihma të kësaj natyre nuk ka më.
Te marrim nje aspekt tjetër. Në vitin 2005 kur PD-ja mori qeverisjen, mbahet mend mirë se në çfarë gjendje ishte energjia elektrike, vetëm 6-7 orë në 24, kishim drita. Por qeverisja e PD-së me Berishën, për tre muaj ndryshuan gjendjen drejt së mirës, dhe mbas gjashtë muajsh dolëm nga kriza energjetike. Ndërkohë qeveria ka plane afatmesme që vendi ynë të arrijë të eksportojë energji elektrike. Objekte të tjera ndërtimore si shkolla, pallate banimi, spitale rrugë automobilistike e të tjera, tregojnë për një rritje të vrullshme të ekonomisë së vendit.
Për çka bëri qeveri “Berisha 1”, dhe për çka planifikon qeveria “Berisha 2”, nuk ka vend që shqiptarët ta shohin të tashmen dhe t’ardhmen me skepticizëm. Ndaj edhe për nostalgjikët e së shkuarës komuniste nuk del aspak e argumentuar kritika e tyre.
...