A duhet të ketë edhe humori ynë në televizione, kufi?
Ditë më parë, në Britani, shkaktoi një debat shumë të nxehtë mënyra sesi dy humoristë të BBC-së bënë shaka me një aktor të moshuar. Si rezultat i një telefonate fyese që u transmetua në programin e humoristit britanik, Rusell Brand, në Radio 2 të BBC-së, ku mysafir i tij ishte edhe prezantuesi dhe humoristi më i paguar në Britani, Jonathan Ross, BBC-ja mori dhjetëra mijëra ankesa nga dëgjuesit e programit.
Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Mark Thompson, u kërkoi falje dëgjuesve për këtë incident dhe i pezulloi të dy humoristët.
Ky incident ka çuar në debate të shumta nëse humori duhet të ketë kufi dhe të jetë më i kujdesshëm.
Nga ana tjetër, ka patur edhe dëgjues që kanë dalë në mbrojtje të humoristëve, duke thënë se në këtë mënyrë cenohet liria e shprehjes. Sa larg mund të shkojë humori, sa therës mund të jetë ai? Kur mund të themi se humori e kalon masën? Kush mund të jetë objekt humori? A duhet të kenë parasysh humoristët dhe mediat diversitetin e audiencës kur transmetojnë humor?
Unë mendoj se edhe në Shqipëri kemi programe televizive ku humori ka kaluar shpesh masën e duhur, e ndonjëherë nuk flitet fare për humor. Sigurisht që kanë edhe vlera këto emisione, por ndonjëherë dëmi që shkaktojnë i ngjan veprimit të asaj lopës, që pasi mbushi kovën me qumësht, i futi një shqelm dhe e derdhi atë. Është mirë që përgjegjësit për këto programe t’i kenë në ndërgjegjen e tyre profesionale pyetjet e mësipërme.