Leksioni i Hillari Klinton në Shkollën Ushtarake të Parisit
Në një fjalim dje në Ecole Militaire në Paris, Sekretarja e Shtetit Hilari Rodham Klinton theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë partnerë thelbësorë për të përballuar sfidat e sotme globale dhe vuri në dukje se ne jemi gati të forcojmë bashkëpunimin me një Europë që është e fortë dhe e bashkuar. Sot, falë partneritetit midis kombit tonë dhe shumë të tjerëve, Europa është më e sigurtë se kurrë më parë. Por mbetet shumë punë e rëndësishme e pambaruar. Mirëpresim të menduarit e ri mbi sigurinë europiane që është në proces në të dyja anët e Atlantikut. Ndërkohë që punojmë me partnerët tanë për të forcuar dhe zgjeruar sigurinë në Europë, këtë do ta bëjmë duke u bazuar mbi një themel të qëndrueshëm parimesh thelbësore. Këto parime përfshijnë: Përkushtim ndaj Sovranitetit dhe Integritetit Territorial të të gjitha Shteteve. Shtetet e Bashkuara duhet dhe do të mbeten vigjilente në përpjekjet tona për të minuar çfarëdo përpjekjeje për të minuar të drejtën e të gjitha vendeve për të ndjekur politikat e veta të jashtme, të zgjedhin aleatët e tyre, si dhe të sigurojnë mbrojtjen e tyre. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fort çfarëdo sfere influence në të cilin një vend kërkon të kontrollojë të ardhmen e një vendi tjetër. Pranim se Siguria në Europë Duhet të jetë e Pandashme. Siguria e të gjitha vendeve është e ndërlidhur. Ne duhet të punojmë sëbashku për të përforcuar sigurinë e njëri-tjetrit, pjesërisht duke u angazhuar me njëri-tjetrin në ide dhe përqasje të reja. Duam të punojmë sëbashku me Rusinë për të riafirmuar parimet e Aktit Përfundimtar të Helsinkit dhe Aktit Themelues NATO-Rusi. Shtetet e Bashkuara janë krenare për atë çka dy vendet tona kanë arritur gjatë vitit të kaluar. Do të vazhdojmë të ndërtojmë një marrëdhënie më thelbësore dhe konstruktive bazuar mbi interesat tona të ndërsjella. Përkushtim të Palëkundur ndaj Mbrojtjes dhe Sigurisë Kolektive të Aleatëve të NATO-s. Ky premtim ruhet në Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në të cilin një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Shtetet e Bashkuara po punojnë me Aleatët tanë për të zhvilluar plane rezervë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja e në zhvillim. Jemi të angazhuar në diskutime të frytshme me aleatët europianë mbi pjesëmarrjen e tyre të mundshme në arkitekturën e re të mbrojtjes nga raketat. Gjithashtu po shqyrtojmë mënyrat për të bashkëpunuar me Rusinë në mënyra të tilla që përforcojnë sigurinë e të gjithë Europës, përfshi Rusinë. Përkushtim ndaj Ushtrimit të Transparencës në Marrëdhëniet Tona me Europën. Për ta mbajtur Europën të sigurt, duhet të mbajmë të hapura kanalet e komunikimit duke qenë të drejtpërdrejtë mbi politikat dhe përqasjet tona. Shtetet e Bashkuara mbështesin një shkëmbim më të hapur të dhënash ushtarake, përfshi vizitat për në qendrat ushtarake. Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Europë ka nevojë për vëmendjen tonë. Synimi ynë duhet të jetë një kuadër modern sigurie që forcon parimet e integritetit territorial, mospërdorimin e parë të forcës, transparencën, dhe të drejtën e vendeve pritëse për të miratuar stacionimin e trupave në territorin e tyre. Besimi që njerëzit kudo kanë të drejtën të jetojnë të lirë nga frika e shkatërrimit bërthamor. Presidenti Obama ka deklaruar një synim të çlirimit të botës nga armët bërthamore. Për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, ne do të mbajmë mjete frenuese të sigurta, siguri-dhënëse, dhe të efektshme për të na mbrojtur ne dhe aleatët tanë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pranë përfundimit të një traktati të ri START për të zvogëluar arsenalet tona bërthamore strategjike. Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të planifikojë të ardhmen e forcave të veta bërthamore në Rishikimin e Pozicionit Bërthamor, do të presë një Samit të Sigurisë Bërthamore për të trajtuar rrezikun e materialeve të pasiguruara bërthamore, do të kërkojë të forcojë Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, do të ndjekë bisedimet për një Traktat a për Ndalimin e Materialeve të Zbërthyeshme, si dhe do të ecë përpara për të ratifikuar Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve. Pranimi se siguria e vërtetë nënkupton jo vetëm marrëdhënie paqësore mes shteteve, por edhe shanse dhe të drejta për individët që jetojnë brenda tyre. Qeveritë duhet të promovojnë dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë me dinjitet, larg frikës nga dhuna apo shtypja. Shtetet e Bashkuara dhe Europa po veprojnë sëbashku për të zgjeruar shanset, për të çuar përpara demokracinë, dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor anembanë botës. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partnere dhe të forcojnë institucionet për të zgjeruar respektimin e të drejtave të njeriut, për t’i dhënë fund murtajës së trafikimit njerëzor në gjithë Europën, dhe për të shtrirë dorën drejt grupeve të mënjanuara....