E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni nga salla e Kuvendit

 

Edmond Arizaj

Në rrezik nuk janë vetëm deputetët e grevës së urisë. Në rrezik nuk janë vetëm zgjedhjet e ardhshme. Rreziku më i madh është për shqiptarët që do të jetojnë ende në këtë vend pas 2009-ës. Njëmbëdhjetë deputetë shqiptarë, mes tyre një ish-kryeministër i majtë dhe një ish-ministër i djathtë, janë ngujuar prej më se 48 orësh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe ata nuk janë të rrezikuar vetëm nga veprimi i ndërgjegjes së tyre, shkuarja drejt sakrifikimit për liri dhe demokraci. Ata janë të rrezikuar edhe  ...nga segmentet e shtetit. Një goxha “segment” u pret atyre ngrohjen, të tjerë përpiqen të instalojnë aparatura përgjimi pranë tyre, të tjerë nuk lejojnë transparencën e kësaj greve urie nëpërmjet qoftë edhe një televizioni. Të tjerë akoma, ish-aleatë, ish-bashkëpunëtorë, ish-bashkëqeverisës të majtë e të djathtë nuk ndihen. Rrinë urtë dhe shohin me kureshtje se si do të mbarojë kjo sprovë e radhës. Me urtësinë e tyre kanë siguruar para kryetarëve respektivë njëfarë mirënjohjeje që mund të shpërblehet në qershor, tek listat. Pavarësisht se kjo shpërblesë do të jepet mbi moralin dhe ndërgjegjen e bërë pis dhe të shkarravitur në pluhurin e eunukërisë politike për të qenë së paku lider i vetvetes dhe i personalitetit vetjak. Por me ç’duket shumë pak brenda 140–ëshes që vendos për vendin kanë personalitet. Të tjerët janë të qullur e të squllur. Sepse normalisht nuk duhet të pranonin as të diskutohej ideja e një greve urie në ambientet e Kuvendit, në sytë e ndërkombëtarëve, në Shqipërinë e NATO-s e të BE-së. Dhe le të ishte kundërshtimi i tyre një minus i madh për listën e ardhshme. Ata vetë nuk do të ishin Xhuvelër të mjerë për katër vjet rresht.
Zgjedhjet e ardhshme rrezikohen dhunshëm nga dyshja simbiotike tashmë Rama-Berisha. Dhe jo për kodin. Kodi është vetëm një nga pjesët që ka filluar që me ndryshimin e Kushtetutës. Vërtet është një nga pjesët kryesore, me të cilën Rama dhe Berisha na kthejnë në kohën e Leninit dhe Stalinit, por të mos harrojmë se ç’mund të ndodhë... Nuk mund të imagjinohet dot një Shqipëri me dy diktatorë. Sepse realisht ky është rreziku i zgjedhjeve të ardhshme me kodin e menduar nga Rama-Berisha dhe zbatuar me përpikmëri e besnikëri nga Xhafa e Rusmaili (i pari për çudi rrallë prononcohet, ndërsa i dyti e paraqet kodin edhe si sukses).
Por ata që rrezikojnë më shumë janë shqiptarët. Nëse binomi Rama-Berisha nuk ndalohen edhe në këtë aventurë, ata do të mësohen me memecërinë tonë, me heshtjen, me indiferencën. Dhe pas vjedhjes së jetës, vjedhjes së ajrit, vjedhjes së votës, do të na vjedhin edhe shpirtin. Sepse nëse mund të bëjnë ç’të duan me votën tonë, mund të bëjnë edhe ç’të duan me ne. Ne mund të votojmë për të djathtën. Mund të votojmë për të majtën. Mund të abstenojmë. Mund ta bëjmë votën të pavlefshme. Por kjo është zgjedhja jonë e lirë, që në fakt duan ta robërojnë Rama me Berishën dhe ta përpunojnë në interes të tyre. E me këtë, ata robërojnë edhe shqiptarët. Asgjë dhe askush nuk do të mund të kundërshtojë më as Ramën dhe as Berishën. Asgjë dhe askush nuk do të mund të gjejë të drejtën tek Rama dhe Berisha. Asgjë dhe askush nuk do të mund të jetojë për hesap të vet në regjimin e Ramës dhe Berishës. Asgjë dhe askush nuk do të mund të pasurohet pa e ditur Rama dhe Berisha. Kjo është duke i pritur shqiptarët me marrëveshjen e fshehtë Rama-Berisha. Ky është edhe rreziku më i madh. Kthimi i njerëzve në bagëti. Njëri e ka realizuar për gati 40 vjet. Tashmë po përpiqen ta realizojnë dy të tjerë, së bashku.
Vërtet shqiptarët janë mësuar me greva urie. Madje dhe janë bezdisur prej tyre kur arrinin deri në absurd. Por greva e 11 deputetëve nuk është vetëm për ta, siç mund ta komentojnë disa matematicienë politikanë. Ajo është për të gjithë shqiptarët. Për t’i mësuar që të luftojnë kundër padrejtësisë edhe kur ajo vjen nga një më i fortë, më i madh dhe më i pasur. Ky është leksioni i vërtetë që po jepet nga salla e Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›