E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odiseja e hetimit të masakrës

 

Hetimet e shtetit shqiptar për masakrën ndaj punonjësve të policisë në Qafë-Gjashtë kanë kaluar përmes një odiseje të pazakontë. Edhe pse ngjarja kishte ndodhur në ditët e para të marsit 1997, Prokuroria e Sarandës ka filluar hetimet për këtë ngjarje më 5 dhjetor 1997 plot nëntë muaj më vonë. Aktet e kësaj dosje, sipas burimeve zyrtare, bënin fjalë për vrasjen dhe më pas djegien në makinë, të oficerit të policisë Gjergj Mehmeti, i shpallur "Dëshmor i Atdheut", i cili në atë kohë mbante detyrën e Komandantit të Togës në Repartin e policisë së rendit. Dy vite pasi filloi hetimi, Prokuroria e Sarandës më 11 qershor 1999 ka urdhëruar ndalimin e Mikel (Vladimir, Flamur) Kendezi, të cilit i është komunikuar akuza "vrasje me dashje në rrethana cilësuese". Në përfundim të hetimeve, më 10 dhjetor 1999 Prokuroria ka vendosur pushimin e akuzës. Hetimet janë pezulluar më 26 maj 2003 pasi ishin kryer edhe disa veprime të tjera, kryesisht pyetje e personave që kishin dijeni për ngjarjen. Më pas një kërkesë e Prokurorisë së Vlorës dhe informacionet e grumbulluara prej saj, janë bërë shkak që Prokuroria të rihapë hetimet më 16 mars 2004. Pas rihapjes së hetimeve është marrë i pandehur Leonard Theodhori ndërsa me vendim të datës 30 qershor 2006 Prokuroria e Sarandës ka shpallur kompetencën lëndore për hetimin e ngjarjes dhe dosjen ia ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit më 14 korrik 2004 ka filluar hetimet duke regjistruar dosjen nr.198 për veprën penale "vrasje në rrethana cilësuese" ndaj Leonard Theodhorit. Në përfundim të hetimeve, më 31 maj 2005, është vendosur pushimi i akuzës ndaj Leonard Theodhorit ndërsa dosja është pezulluar më 6 qershor 2005 dhe i ka kaluar policisë. Rreth dy vite më vonë, më 16 tetor 2007, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur dosjen ndërsa Prokuroria e Përgjithshme firmosi shfuqizimin e vendimeve për pushimin e akuzës ndaj Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi dhe Leonard Theodhori. Akuza ndaj këtij të fundit u pushua pasi nuk u gjetën prova për implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur.                             tr.so

te akuzuarit

Të pandehurit
1.     Vladimir Sinani
2.     Nestor Sinani
3.     Alqi Paguni
4.     Eduart Çipa
5.     Edmond Sejko
6.     Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi
7.     Arben Këndezi
8.     Agron Qurku
9.     Aleksandër Bala
10.     Ristan Lapa

Akuzat:
1.    "Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara" ndaj punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrës, në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Gjergj Mehmeti (ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Vlorë)
2.     "Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara", të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë gjatë kryerjes së detyrës, kundër dy ose më shumë personave kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasve Sokol Bizhga, Aduart Alia dhe Myzafer Blushi (efektiva të Komisariatit të Policisë Vlorë).
3.     Edmond Sejko, i pandehur për "mbajtje pa leje të armëve luftarake"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›