Dosja e firmës, hetim nga Tirana
Prokuroria e Gjirokastrës e ka mbyllur ditën e djeshme me një numër të pazakontë veprimesh hetimore për tragjedinë e shkaktuar nga shembja e pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari". Sekuestrimi i dokumenteve të ndryshme që mund të hedhin dritë mbi shkaqet e rrëzimit të ndërtesës, duke përcaktuar njëkohësisht edhe personat përgjegjës, është konsideruar gjithsesi si procesi më i rëndësishëm i punës së djeshme. Po gjatë ditës së djeshme, prokurorët kanë përcaktuar edhe strategjinë që do të ndjekin në gjykatë sot gjatë procesit të përcaktimit të masave të sigurisë për të arrestuarit dhe të ndaluarit. Gjithsesi, dita e sotme është përcaktuar si dita që do të sjellë konfigurimin e ecjes së hetimit, pasi në vendngjarje do të mbërrijë edhe një grup ekspertësh nga Tirana, të cilët me aktin përfundimtar të ekspertizës së procesit të shembjes, do të jenë edhe ata përcaktues të fatit të mëtejmë të të arrestuarve.
Sekuestrimi i dokumenteve
"Një grup prej disa hetuesish kanë sekuestruar dokumente të ndryshme në disa institucione. Kemi vepruar shpejt në këtë drejtim, me qëllim që të shmangnim ndonjë tentativë eventuale për fshehjen e tyre, dëmtimin apo falsifikimin", pohoi për gazetën një nga pjesëmarrësit në hetim. I njëjti zyrtar shpjegoi se qëllimi i veprimeve të djeshme, i sekuestrimit të dokumenteve, ka qenë vetëm ai i posedimit të tyre dhe jo i vlerësimit. Pra të gjitha dokumentet e sekuestruara ende nuk janë studiuar me qëllim përcaktimin e fajtorëve apo të parregullsive, qoftë ligjore, qoftë teknike që kanë sjellë për pasojë shembjen e kodrës sipër të cilës gjendej pallati pesëkatësh, i ndërtuar që në kohën e komunizmit. "Vlerësimi i dokumenteve do të bëhet në ditët në vazhdim, pasi të kemi në duar edhe ekspertizën e vendngjarjes që do të hartohet nga specialistë që pritet të vijnë nesër (sot) nga Tirana", pohoi i njëjti zyrtar. Zyrtari shpjegoi gjithashtu se ekspertët që janë kërkuar të vijnë nga Tirana, kanë përvojë në ngjarje të ngjashme dhe se do të jenë me profesion gjeologë, inxhinierë ndërtimesh etj.
Masat e arrestit
Gjatë ditës së sotme pritet që para gjykatës të shkojë edhe pjesa më e madhe e nëntë të arrestuarve. Gjatë mbrëmjes së djeshme në Prokurorinë e Gjirokastrës ka pasur një mbledhje të zgjatur të grupit të hetimit të ngjarjes dhe një nga çështjet e trajtuara ka qenë edhe përcaktimi i strategjisë që do të ndiqet me të arrestuarit. Pas debateve të ndryshme, në parim është rënë dakord që për të gjithë të arrestuarit të kërkohet masa e sigurisë "arrest me burg". "Ramë dakord të kërkojmë një masë të tillë sigurie për disa arsye. Së pari ngjarja është e rëndë dhe ka sjellë disa viktima, së dyti dy prej të arrestuarve tentuan të largoheshin dhe së treti një nga bashkëpronarët e pallatit në ndërtim vazhdon të fshihet, edhe pse i shpallur në kërkim. Gjithsesi në këto raste është gjykata ajo që jep verdiktin", pohoi për gazetën anëtari i ekipit të hetimit. Ndaj tre prej të akuzuarve rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës", ndërsa për 6 të tjerët ajo e "shkeljes së rregullave në punë". Ata pritet që të bëjnë publike sot dhe deklarimet e tyre mbi akuzën për të cilën janë prangosur gjatë të hënës.