Përcjellja e Anxhelës e Valbonës, qindra vetë në ceremoni
Lot dhe vaj ka qenë panorama e ceremonisë mortore të organizuar dje, për varrosjen e trupave të pajetë të Valbona dhe Anxhela Dalanit. Kolona e njerëzve që kanë asistuar në varrim, ka qenë e gjatë ku merrnin pjesë përveç familjarëve dhe të afërmve, edhe drejtues të pushtetit vendor si prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera dhe kreu i Bashkisë Flamur Bime. Shoqet e klasës së Anxhelës 13-vjeçare kanë derdhur lot përgjatë gjithë kohës deri në përfundim të ceremonisë mortore. Trupat e pajetë të nënës dhe të bijës, janë marrë nga lagjja "Blloku i Furrave", në shtëpinë e të atit të Valbonës dhe më pas janë përcjellë disa kilometra më tutje për t'u prehur përjetësisht. Të afërmit e familjes mjaft herë janë prekur duke u rënë të fikët dhe përmendur herë pas here nga njerëz të tjerë. Më i trondituri ka qenë babai dhe burri i viktimave, Jeton Dalani, i cili mjaft herë ka qarë duke kërkuar të qëndronte sa më shumë me to para se të varroseshin. Një situatë mjaft e rënduar, e cila është përballuar me vështirësi nga të pranishmit, që kishin ardhur për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Trupat e 38-vjeçares Valbona Dalani dhe vajzës së saj 13-vjeçare, Anxhela u gjetën nën gërmadhat e pallatit të shembur ditën e dytë pas tragjedisë. Bashkë me 65-vjeçaren Parashqevi Zoto ato ndodheshin në pjesën e pallatit që u shemb papritur mesditën e së dielës në lagjen "11 Janari". Pas shumë kërkimesh, tre viktimat u gjetën pa asnjë shenjë jete. E mitura humbi jetën si pasojë e asfiksisë, ndërsa dy gratë sipas ekspertëve vdiqën nga dëmtimet e shumta të shkaktuara nëpër trup.