E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Qafë-Gjashta”, plumba policisë për “pengjet” nga Saranda

 

Trazhgim Sokolaj

Katër efektiva policie, njëri nga të cilët u vra dhe u dogj në makinë, ndërsa tjetri u mor peng dhe u torturua, janë nisur nga Vlora në drejtim të Sarandës më 4 mars 1997, për të rivënë në funksion komisariatin e policisë së këtij qyteti, që ishte djegur e shkatërruar nga bandat e armatosura. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka përfunduar dje hetimet për ngjarjen që njihet si "Masakra e Qafë-Gjashtës". Dosja është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pritet që 11 vjet pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në përplasje mes policisë dhe grupeve të armatosura, të fillojë procesi gjyqësor me dhjetë të pandehur në bankën e akuzës. Më poshtë, gazeta "Panorama" publikon ngjarjen sipas përshkrimit që ndodhet në dosjen penale të prokurorisë, e cila është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Urdhri i Agim Shehut
Më 4 mars 1997, rreth orës 07:00, viktima Gjergj Mehmeti së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektiva të Komisariatit të Policisë Vlorë, me urdhër të ish-zv.ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, janë nisur në drejtim të qytetit të Sarandës, me qëllim ringritjen e Komisariatit të Policisë së këtij qyteti, punonjësit e të cilit kishin lënë shërbimin dhe ishin shpërndarë për shkak të trazirave të shpërthyera me rënien e firmave piramidale. Rreth orës 08:00, punonjësit e policisë me autoveturën tip Mercedes-Benz, 240, në pronësi të Myzafer Blushit, janë nisur nga Vlora në drejtim të Sarandës. Sapo kanë arritur në Sarandë, kanë shkuar në komisariat, por kanë konstatuar se objekti ishte djegur tërësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Pas këtij momenti kanë komunikuar me zv.ministrin për situatën në të cilën ndodhej Komisariati i Policisë Sarandë, i cili nuk mundej të riorganizohej dhe kanë vendosur që të largohen. Në Sarandë, rastësisht, takohen me shtetasit Lefter Blushi, Genci Blushi, (familjarë të punonjësit të policisë Myzafer Blushi) dhe krenar Ferunin, të cilët do shkonin për në Gjirokastër. Rreth orës 12:30-13:00 kanë vazhduar rrugën në dalje të qytetit të Sarandës, por në momentin që kanë shkuar te nënstacioni elektrik i qytetit të Sarandës, (i cili ndodhet në dalje të qytetit për nga drejtimi i lëvizjes së punonjësve të policisë), i ka parakaluar një makinë tip Mercedes-Benz, 190, me ngjyrë jeshile dhe me targa të Sarandës, brenda të cilës kanë qenë tre persona.
Prita e parë
Ky automjet u ka prerë rrugën dhe ka ndaluar rreth 4-5 metra para autoveturës së punonjësve të policisë. Nga ky moment ka zbritur pasagjeri që ndodhej ulur në sediljen e parë, i cili në dorë ka pasur një armë automatike tip Kallashnikov. Ky person, është afruar tek automjeti i punonjësve të policisë, ka komunikuar me ta dhe i ka pyetur kush ishin dhe ku do të shkonin. Këtij personi i është përgjigjur Sokol Bizhga, duke iu prezantuar me emër dhe gjithashtu duke i thënë se ishin punonjës të Policisë së Vlorës. Ky ka qenë momenti kur punonjësit e policisë kanë bërë çarmatosjen e tij. Nga automjeti me targa të Sarandës, për të parë çfarë po ndodhte me shokun e tyre, kanë dalë edhe dy personat tjerë, konkretisht pasagjeri i sediljes së pasme dhe drejtuesi i automjetit. Në këtë moment ka ndodhur edhe një shkëmbim zjarri ku për pasojë, drejtuesi i mjetit me targa të Sarandës, duke u ndodhur dhe me pranë tij ka vrapuar me shpejtësi në drejtim të automjetit dhe është larguar me shpejtësi për në dalje të qytetit të Sarandës, rrugë e cila të shpie për në Gjirokastër.
Nga hetimet, ka rezultuar e provuar se drejtuesi i automjetit me targa të Sarandës, ka qenë dëshmitari Armand Hysi, pasagjer në sediljen e parë ka qenë i pandehuri Edmond Sejko, (i thirrur ndryshe "Bubeqi") dhe në sediljen e pasme ka qenë dëshmitari Fatos Mahmutaj.
Duke u ndodhur në një situatë të tillë dhe duke menduar se rrugës mund të ndesheshin me persona të tjerë të armatosur, punonjësit e policisë kanë futur në automjetin e tyre të pandehurin Edmons Sejko dhe shtetasin Fatos Mahmutaj me të vetmin qëllim për të siguruar kalimin e tyre pa probleme nga Saranda.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Armando Hysi në momentin që ka mbërritur në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës", pikërisht te karburanti i shtetasve Stefan dhe Niko Vaso, (objekt që ndodhet 200-300 metra nga nënstacioni elektrik), ka komunikuar me grupin e armatosur të personave nga Saranda, i cili ndodhej te karburanti, dhe u ka thënë se një makinë me targa të Vlorës, me disa persona të armatosur, kanë marrë peng Edmond Sejkon (Bubeqin) dhe kunatin e tij Fatos Mahmutaj. Pas këtij momenti, Armando Hysi largohet për në drejtim të fshatit Metoq të Sarandës ndërsa personat e armatosur që ndodheshin te karburanti janë pozicionuar në pritje të automjetit me targa të Vlorës.
Shkëmbimi i zjarrit
Pas disa minutash, punonjësit e policisë me automjetin e tyre me targa të Vlorës, kanë vajtur në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës", por kur afrohen rreth 50 metra para pikës së karburantit të vëllezërve Vaso, janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri, pikërisht nga grupi i personave të armatosur të cilët ishin pozicionuar rreth karburantit.
Të ndodhur në një situatë të tillë, punonjësit e policisë kanë ndaluar automjetin pas një kamionçine të parkuar rastësisht në anë të rrugës dhe me qëllim kalimin e rrugës pa ndonjë problem, ka zbritur nga makina i pa armatosur Sokol Bizhga dhe i është drejtuar grupit të personave të armatosur me fjalët: "Jam shefi i Policisë Kriminale të Vlorës, jemi lebër, jemi vëllezër prandaj mos qëlloni". Por grupi i personave që ndodheshin te karburanti, ka vazhduar të qëllonte me armë. Pas këtij momenti, punonjësit e policisë kanë kërkuar nga personat që kishin në makinën e tyre, pikërisht nga i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj, meqenëse ishin sarandiotë të shkonin te personat e armatosur që ndodheshin te karburanti dhe të negocionin me ta që të largoheshin pa ndonjë problem në drejtim të Gjirokastrës. Por në momentin kur i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj kanë vajtur në afërsi të personave të armatosur, i pandehuri Edmond Sejko u ka thënë fjalën "Tufjani". Ky ka qenë momenti kur personat e armatosur përsëri kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të punonjësve të policisë, ku për pasojë, pas rreth 10-15 minutash shkëmbim zjarri, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Gjergj Mehmeti.
Masakra mbi policët
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj, nuk ka arritur që të largohet por është kapur nga personat e armatosur dhe është mbajtur peng e keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Pas përfundimit të të shtënave, personat e armatosur i kanë vënë flakën automjetit në të cilin ndodhej trupi i punonjësit të policisë Gjergj Mehmeti. Nga hetimet e kryera dhe gjatë ekzekutimit të urdhrit të ndalimit të shtetasit Edmond Sejko, në banesën e tij janë gjetur dhe më pas sekuestruar me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, tip "TT" me nr,N84S1946, një karrikator, shtatë fishekë, dy granata dore ofensive me doreza. Sa më sipër si dhe nga analiza e rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar e provuar se në grupin e personave të armatosur, që kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, kanë qenë të pandehurit Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa, të cilët me veprimet kriminale kanë konsumuar elementët e veprave penale për të cilat janë akuzuar.

Aksioni "Mars" në 2007 arrestoi të pandehurit

TIRANE - Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia, organi i akuzës ka firmosur urdhrat e arrestit për personat që kanë qëlluar me armë punonjësit e policisë dhe më pas, kanë djegur në makinë oficerin Gjergj Mehmeti. Ata u arrestuan gjatë aksionit "Mars" më 14 nëntor 2007. Sipas hetimeve, mësohet se të akuzuarit kanë rrëmbyer e mbajtur peng oficerin e policisë Eduart Aliaj, të cilin e kanë keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme për disa ditë me radhë, duke ushtruar dhunë ndaj tij si dhe duke kaluar përmasat e çdo veprimi njerëzor, në shenjë hakmarrje të bandave kriminale ndaj policisë së shtetit. Të pandehurit e kësaj ngjarje tashmë pritet të dalin para gjykatës së Krimeve të Rënda për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›