E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, “Bardh e Zi” kap 6 shpërndarës narkotikësh

 

TIRANE - Policia arrestoi gjatë operacionit "Bardh e Zi 2", 6 persona pjesëtarë të grupit të dytë të një rrjeti të akuzuar për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet. Hetuesit u bllokuan të dyshuarve sasi heroine, kanabisi dhe metadoni, lëndë narkotike që u shiteshin përdoruesve kundrejt pagesave të konsiderueshme. Arrestimet janë kryer mbrëmjen e të hënës, duke nisur me dy studentë nga Lushnja në rrugën e Kavajës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, Algert Shehu, 21 vjeç, dhe Erjon Todri, 25 vjeç, të dy nga Lushnja, studentë në fakultetin e Gjeologji Minierave kanë rënë të parët në pranga. Të dy këta persona, sipas burimeve të policisë, janë kapur ndërsa shisnin një sasi heroine përdoruesve. Menjëherë më pas, agjentët e antidrogës kanë ndërhyrë në dy lokale të tjera në kryeqytet, ku edhe ndaluan dy persona të tjerë, Ilir Totën, 23 vjeç, Jetnor Ademi, 23 vjeç, banues në kryeqytet. Nga kontrolli fizik i kryer ndaj të gjithë personave, policia u ka gjetur dhe u ka bllokuar 41 gramë heroinë, 1.4 gramë metadon, 1,6 gramë marijuanë etj,. Në fund policia ka lënë për të ndaluar Ilir Dajtin, 24 vjeç. Grupi i goditur nga policia, mësohet se kishte si bazë të tij, një lokal pranë shkollës së Bashkuar në rrugën "Niko Avrami", pranë shkollës 9-vjeçare "Bajram Curri". Po në këtë zonë, si dhe në zonën e kinostudios. Ilir Dajti është cilësuar nga policia si organizatori dhe furnizuesi i këtij rrejti të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Sipas tyre, Dajti është kushëri i një prej personave të arrestuar në muajin korrik nga policia e kryeqytetit gjatë operacionit "Bardh e Zi 1". Në këtë operacion, policia arrestoi rreth 10 vetë dhe disa të tjerë rreth një muaj më vonë përfunduan në prangat e policisë. Në këtë mënyrë, numri i të arrestuarve për këtë rrjet ka kapur shifrën e rreth 20 personave të arrestuar për këtë qëllim nga policia, të akuzuar për shpërndarje të heroinës në Tiranë.        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›