Shembet nga Monumentet shtëpia
Nisur nga ngjarja e ndodhur dhe për të evituar rreziqet për komunitetin, dje ka filluar shembja e atyre banesave që paraqesin rrezikshmëri. Ka qenë një iniciativë e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës për të lokalizuar rreziqet që sjellin godinat e braktisura. Një e tillë ishte edhe ajo e Koloit në lagjen "Varrosh", e cila u dogj në fillim të këtij viti. Pjesa e tavanit dhe muret e brendshme të banesës muzeale u shkatërruan nga zjarri, ndërkohë që muret anësorë ishin lënë në mëshirë të fatit gati për të rënë në kokën e kalimtarëve apo banorëve pranë saj. Sipas drejtorit të DRMK-së, Spartak Drasa, kjo është një iniciativë që do të vijojë të përqendrohet edhe në banesat e tjera në Gjirokastër, e cila ka për synim të zhdukë rrezikun e shembjes së tyre. Rasti i tragjedisë së fundit është një shembull që nuk duhet neglizhuar pasi do të jetë shumë vonë kur të shënohen të tjera viktima-shprehet Drasa. Shtëpia e Koloit, ndodhet në zonën e ndërmjetme mes lagjes "Varrosh" dhe "Palorto" e cila ka statusin e monumentit të kulturës e kategorisë së dytë. Para se të digjej në mars të këtij viti, ajo ka qenë e braktisur nga pronarët. Banorët e lagjes mjaft herë kishin apeluar për ndërhyrjen në këtë shtëpi, pasi muri i saj i jashtëm kishte tendenca për anim në krahun e kundërt.