E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë se “Glasnost” e “Perestrojkë” për të çrrënjosur bolshevizmin në Bashkinë e Tiranës

05-08-2011 / Nga Lavdrim Lita

Demokratizimi i Rusisë erdhi me shembjen e regjimit bolshevik nëpërmjet politikës së transparencës, të quajtur “Glasnost” dhe atë të shndërrimeve, të quajtur “Perestrojka”. Kjo referencë është për të theksuar pikë së pari, që politika e transparencës dhe e shndërrimeve është e aplikueshme kurdoherë dhe kudo, çdo vend dhe institucion. Është sipërmarrja e përballjes me realitetin e vështirë me zgjidhje afatgjata, që e forcon dhe e përmirëson cilësinë  e jetesës së qytetarëve.
Edhe në Bashkinë e Tiranës ka nevojë për një proces transparence dhe shndërrimi, aq më shumë tani kur doli lajmi se “Gjatë 6 muajve të parë të vitit, Bashkia e drejtuar nga ish kryetari Edi Rama, ka shpenzuar pa masë duke lënë institucionin në gjendje të mjerë”.
Përgjegjësit e kësaj vrime financiare kanë lënë Shqipërinë. Edi Rama ishte me pushime në ishullin italian të Sardenjës pas humbjes elektorale, kurse ish-drejtorët e tij janë larguar “me pushime”, pas dorëheqjes en-bloc nga pozicionet e Bashkisë Tiranë. Tani po kuptohet se përse tranzicioni i pushtetit ishte kaq i rrufeshëm, dhe pa konflikt. Si duket fondet e pagave të bashkisë Tiranë  janë përdorur para dhe gjatës fushatë zgjedhore të 8 majit.
Ka gjasa që para fushatës ka qenë “lyerja” e demonstruesve të 21 janarit, të demonstratës funebër një javë më pas, të kinse revoltave popullore. Gjatë muajit prill të fushatës elektorale, Edi Rama hapi thesin e Bashkisë për të arnuar pjesë rrugësh, në akse të ndryshme të kryeqytetit. Madje një shpikje në dead-line, të orës së fundit ishte ndarja e korsive të rrugëve për  autobusëve dhe trotuare për biçikleta, çka dukej sheshit se vinte nga nxitimi i imazhit elektoral. Kaq për rrugët. Sepse Rama përgjatë fushatës “fajin e ka Saliu” mbolli edhe barin gjysmë-artificial në Sheshin Skënderbej, me një shifër përafërsisht 40 mijë euro. Me kësisoj “punësh” në momentin e fundit, I Papranueshmi Rama mendonte të mistifikonte gjendjen jo fort të mirë të kryeqytetit, ku sheshi Skëndërbej është ende bark-hapur, trafiku është i çmendur, ku shërbimet e ndryshme pësuan një stepje të dukshme. 
Sigurisht për gjendjen delikate në të cilën është kryeqyteti përgjegjës kryesor  është njeriu që e ka qeverisur për më shumë se 11 vjet, pa pasur ndonjëherë kontrolle, apo hetime specifike. E vetmja herë në të cilët Rama si kryebashkiak u përball me një hetim ishte Komisioni hetimor Parlamentar i 2003-it, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike. E veçanta e këtij komisioni ishte vëmendja që tërhoqi për mediet zhvillimi i seancave dëgjimore, të cilat degjeneruan në një spektakël bajat, për shkak se Rama përdorte megafonin, si armë për të zhurmuar të vërtetën. Komisionet e tjera ishin pa bujë.
Sidoqoftë një nga premtimet interesante që z. Basha ka shpalosur ka qenë ideja për një transparencë të vendimmarrjes së bashkisë, sigurisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kryeqytetit. Realizimi i këtij premtimi për glasnost-transparencë të të gjitha punëve të Bashkisë së Tiranës, sigurisht duhet të nisë edhe me zbardhjen e keqqeverisjes së administratës Rama. Çmontimi i një modeli abuziv e korruptiv, si dhe nxjerrja përgjegjësive administrative, ligjore dhe morale është një domosdoshmëri për administratën Basha. Vetëm me pastrimin e vatrave të infeksionit është e mundur shërimi, dhe kthimi në një gjendje të shëndetshme. Është koha e duhur për të bërë pastërti.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›