Leku dobësohet sërish
Monedha shqiptare u dobësua në ditën e dytë radhazi kundrejt euros dhe dollarit, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Euro u këmbye mesatarisht për 130.54 lekë, rreth 50 qindarka më shumë sesa ditën e martë. Dollari fitoi 57 qindarka dhe u këmbye për 100.9 lekë, sipas kursit mesatar fiks që publikohet nga Banka e Shqipërisë. Leku humbi terren edhe kundrejt paundit britanik dhe frangës zvicerane, por kuotimi me këto monedha përgjithësisht pasqyron ndryshimet e vlerës së tyre kundrejt euros. Kjo është java e parë negative për lekun që prej një muaji. Në dy ditë, leku ka humbur 1.1 për qind kundrejt euros dhe rreth 2 për qind kundrejt dollarit amerikan, rënie kjo e konsiderueshme në një periudhë të shkurtër kohe. Rënia e lekut konsiderohet gjerësisht si pasojë e shpenzimeve të larta buxhetore të qeverisë dhe pakësimit të prurjeve valutore në vend, por Banka e Shqipërisë paralajmëroi pak kohë më parë se në një situatë të tillë ekziston edhe rreziku i ndërhyrjes së elementëve spekulantë në treg. Si rregull, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në treg me ofertë apo kërkesë valute, në rastet kur vërehen lëvizje spekulative. Shumë operatorë të tregut të këmbimeve valutore vlerësohet se do të realizojnë fitime të konsiderueshme nga nënçmimi i monedhës shqiptare.