E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri-bashki, konsensus për lejet e ndërtimit

Ligji i ri "Për urbanistikën", parashikon afate të reja për marrjen e lejeve. Kuvendi e miraton në parim

Firmat dhe personat mund të aplikojnë njëkohësisht për shesh dhe leje ndërtimi


Ministria e Punëve Publike dhe Bashkia e Tiranës, kanë rënë në konsensus për ndryshimet e ligjit të urbanistikës.


Ndryshimet dhe shtesat e propozuara në ligj u miratuan dje në parim në Kuvend, ku dy palët e interesuara kanë shprehur dakordësinë për to. Kështu, në ligjin e ri janë bërë disa ndryshime, nga ato që u miratuan në qeveri në fund të vitit të kaluar. Ndryshimet dhe shtesat e propozuara në ligjin


Për urbanistikën", u propozuan dje nga këshilltari i kryeministrit për planifikimin urban, Flamur Kuqi.


Ato gjetën edhe mbështetjen e përfaqësuesve të bashkisë, që ishin prezent në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese.


Sipas ndryshimeve të reja të bëra në ligjin për urbanistikën, personat dhe firmat e ndërtimit mund të aplikojnë njëkohësisht për shesh dhe leje ndërtimi, në një procedim të vetëm administrativ.

Nga momenti i paraqitjes së kërkesës me shkrim, njësia e urbanistikës duhet ta shqyrtojë kërkesën për leje ndërtimi dhe t'i kthejë përgjigje aplikuesit brenda afatit 35 ditor nga data e dorëzimit.


Kur kjo njësi, në përfundim të 35 ditëve, nuk i dërgon kërkuesit njoftimin për mospranimin e shqyrtimit të kërkesës, ose miratimit të vetë lejes së ndërtimit në KRRT, atëherë kërkesa konsiderohet e pranuar në heshtje dhe i gjithë dokumentacioni i përcillet për shqyrtim dhe miratim KRRT-së së bashkisë apo komunës. Por, në rast se në kërkesën e dorëzuar dhe miratuar në heshtje vërehen shkelje të rregullave të urbanistikës, atëherë ajo shpallet e pavlefshme. Në të kundërt, Këshilli i Rregullimit të Territorit duhet që brenda 45 ditëve të dalë me një vendim për dhënien ose jo të lejes së ndërtimit.

Pas miratimit, dy kopje origjinale të materialit ia dorëzon kërkuesit të lejes ose bashkisë apo komunës, në juridiksionin e së cilës ndodhet zona e studiuar, jo me vonë se pesë ditë pas marrjes së vendimit të KRRT-së, kur në ligjin aktual kjo kohë ishte 30 ditë.

Aplikuesi merr në dorë lejen jo më vonë se një ditë nga dorëzimi i dokumentit, që vërteton pagesën e kryer nga ai.


Në rast se ai nuk e kryen këtë pagesë brenda 30 ditëve, mbi të aplikohet një kamatë prej 0.2% e vlerës së detyruar dhe duhet ta paguajë brenda 60 ditëve. Në rast se edhe brenda kësaj kohe nuk paguan, gjoba shkon në masën 1% për 30 ditët e ardhshme.

Kur kjo pagesë nuk kryhet, KRRT-së i lind e drejta të marrë masa të tjera, deri në anulimin e lejes për këtë përfitues. Në ligjin e ri, numri i ditëve llogaritet vetëm me ditët zyrtare të punës, duke përjashtuar pushimet dhe festat.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›