E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku rifillon tatëpjetën kundrejt euros

Euro shënoi një rekord të ri shumëvjeçar kundrejt lekut të enjten e kaluar, kur u këmbye për 131.2 lekë, sipas kursit fiks të llogaritur nga Banka e Shqipërisë. Hera e fundit kur euro ka kushtuar më shtrenjtë se kaq, ka qenë 1 prilli i vitit 2004. Leku pati rezistuar rreth kuotës l-130 për euro gjatë gjysmës së dytë të shkurtit, por që nga 3 marsi nisi një seri dobësimi gradual, deri sa të enjten kapërceu kuotën psikologjike, si në shitje, ashtu edhe në blerje.

Moskapërcimi i kuotës 130 qe kryesisht pasojë e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në treg. Si rregull, BSH mund të ndërhyjë për të shmangur luhatjet e forta spekulative në treg, duke shitur apo blerë valutë sipas rastit. Operatorët e tregut kanë raportuar se banka qendrore hodhi në shitje euro në kuotën 129.7 lekë, por kjo ndërhyrje duket se u absorbua nga tregu brenda dhjetë ditësh dhe leku rifilloi dobësimin. Vetë BSH, në bazë të rregulloreve të brendshme, mund t‘i raportojë ndërhyrjet në treg vetëm pas tre muajsh. Por, për operatorët e tregut, ndërhyrje të tilla raportohen në kohë reale nga sistemi i informacionit financiar i agjencisë "Reuters".

Gjatë fundjavës, agjencitë e këmbimit valutor folën për pasiguri. Nuk është e sigurt nëse BSH do të ndërhyjë sërish në treg dhe në çfarë kuote.

Gjatë ditëve të para të javës, zakonisht leku forcohet për shkak se bankat grumbullojnë monedhë vendase për të përgatitur ofertat për ankandin e bonove të thesarit, që zhvillohet ditën e martë. Leku ka humbur 6.2 për qind që nga fillimi i këtij viti kundrejt euros, si pasojë e përkeqësimit të bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Deficiti i llogarisë korrente ishte mbi 1 miliard euro gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që vonesa në marrjen e një kredie të huaj nga ana e qeverisë po e rëndon monedhën vendëse për shkak të kostos së rrugës Rrëshen-Kalimash.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›