Rikthehen në shtëpi në kushte tejet të mjerueshme
Dibër, motrat e sëmura tani pa zinxhirë, mbyllen me kyç
Historia tronditëse në fshatin Bllatë e Poshtme, të Maqellarës në rrethin e Dibrës, e bërë publike në media më 26 tetor të vitit që sapo kemi lënë pas, ku dy motra të sëmura mendore mbaheshin të lidhura me zinxhirë prej gati 20 vitesh, duket se është rikthyer përsëri. Ngjarja e rëndë, pasi u bë publike në media, solli si rrjedhojë dërgimin e dy motrave, Fllanza dhe Fidane Keshi, përkatësisht 47 dhe 35 vjeç, në spitalin psikiatrik të Shkodrës, ku u mjekuan për rreth 70 ditë. Por vetëm para pak ditëve, dy motrat e sëmura janë rikthyer në shtëpinë e tyre. Në ditën e sotme nisemi drejt fshatit Bllatë e Poshtme, i cili ndodhet në kufi me Maqedoninë, për te shtëpia e Dine Keshit, babait të dy vajzave të sëmura.
Rrugica e ngushtë që të çon drejt shtëpisë, është pa njerëz, krejt e heshtur dhe portat e avllive të shtëpive, pothuajse të gjitha të mbyllura. Por ngaqë kishim qenë edhe herë të tjera, nuk e patëm të vështirë që të orientohemi drejt shtëpisë kasolle buzë kufirit, ku banojnë motrat Fllanza dhe Fidane Keshi, të sapokthyera nga spitali. Nga oxhaku dilte tym, gjë që tregonte se vajzat janë brenda në shtëpi, edhe pse dera ishte e mbyllur me dry. Para derës, në “roje” të motrave të sëmura, ishte qeni i shtëpisë, i cili sapo afrohemi na sulet për të na kafshuar. Fatmirësisht në këtë moment mbërrin aty njëra nga kunatat e motrave të sëmura, Fejzia, e cila na shpëton nga ndonjë dhëmb i qenit që na ishte turrur me gjithë egërsinë e tij. “Vetëm se iu njoh, pasi keni qenë edhe më parë, por policia na ka porositur që asnjë gazetar, po nuk qe i shoqëruar nga ne, të mos i hapet dera për të parë motrat e sëmura të sapokthyera nga spitali.
Po kështu na kanë thënë që as të mos flasim me ju gazetarët dhe as t’u lëmë që të filmoni”. Me kunatën Fejzie dhe vëllain e motrave të sëmura, Rustem Keshi, pasi i sqarojmë për qëllimin e mirë të ardhjes dhe biem dakord që të mos filmojmë, nisim të dialogojmë rreth mjekimit të vajzave dhe rikthimin e tyre në shtëpi. “Pasi na njoftoi spitali psikiatrik Shkodër, për marrjen e vajzave, Dinja ka shkuar atje dhe i ka sjellë në shtëpi me një ambulancë, të cilës i ka paguar vetë 120 mijë lekë të vjetra, thotë kunata Fejzie Keshi”. Nuk i kemi lidhur me zinxhirë, por ato duhen ruajtur, pasi largohen nga shtëpia. Ndaj edhe siç e shihni për momentin, baba Dinja i ka mbyllur me dryn, pasi ka shkuar në Maqellarë për të marrë ilaçe për ta.
Pensioni që marrin nuk u del as për ushqim dhe jo më për tjetër gjë. “Shteti të paktën t’u bëjë një shtëpi të vogël vetëm ku mund të fusin kokën, t’u rrisë pak pensionin, pasi kështu nuk vazhdohet, e përfundon fjalën e saj Fejzia. Gjatë kohës që bisedojmë me Fejzien duket se edhe i vëllai, Rustem Keshi, 41 vjeç, është “zbutur” disi në qëndrimin e tij dhe na hap derën për t’i parë motrat e sëmura. Të ulura në dheun e të ashtuquajturës “shtëpi”, por që nuk vlen as për kasolle, pranë sobës së ndezur, të saporikthyera nga spitali, ato duken më të heshtura dhe të qeta se para se të kuroheshin në spital. “Ja, siç dhe i shikoni, vetëm se janë pak më të qeta prej ilaçeve, por përsëri ato duhen ruajtur, thotë i vëllai.
Edhe mjeku psikiatër i spitalit të Peshkopisë, Dilaver çorja, pasi erdhën motrat në shtëpi ka ardhur për t’i vizituar dhe ka thënë se gjendja e tyre është disi më e përmirësuar, por përsëri mjekimi i tyre duhet të vazhdojë”, thotë vëllai Rustemi. Aktualisht vajzat nuk janë të lidhura nga babai, por problemi mbetet i pazgjidhur, pasi në rastet kur ai është i detyruar të largohet nga shtëpia, duhet të gjejë një zgjidhje, si kjo e ditës së sotme, ku është detyruar t’i mbyllë brenda në shtëpi me dry.
#