E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël i mbetet bashkisë

Ndryshimi i xhiros vjetore, nga 8 milionë lekë në 4, lidhet vetëm me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe aspak me taksat e tjera direkte. Për rrjedhojë, bashkitë dhe komunat do të vazhdojnë të kontrollojnë bizneset me xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë, por nga ana tjetër, për kufirin 4 milionë e sipër do të mbledhin për llogari të tatimeve edhe TVSH-në. Këtë sqarim e jep për "Shqip" ish-zv.ministri i Financave, Florion Mima, i cili saktëson se biznesi i vogël do të mbetet i tillë, sikurse vepron sot, por me një ndryshim që lidhet me TVSH-në. "Ulja e pragut të kufirit buxhetor do të bëhet për aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Për taksat e tjera direkte, biznesi i vogël do të ketë sërish kufirin e 8 milionë lekëve. Për pasojë, pushteti lokal do të vazhdojë ende të administrojë taksat që paguan aktualisht biznesi i vogël. Madje TVSH-ja e deklaruar nga bizneset me xhiro vjetore mbi 4 milionë do të mblidhet nga bashkitë dhe komunat për llogari të pushtetit qendror", saktësoi Mima, tashmë në cilësinë e ekspertit të ekonomisë.
Aktualisht numërohen rreth 80 mijë biznese të vogla në rang vendi, që menaxhohen nga pushteti lokal. Numri është më i madh se bizneset e mesme apo të mëdha, por pavarësisht kësaj, krijimin e të ardhurave e sigurojnë më shumë bizneset e mesme apo VIP-at. Sipas ligjeve fiskale, biznesi i vogël paguan vetëm tatimin mbi të ardhurat dhe kontributet shoqërore, përfshi edhe taksat lokale, si gjelbërimi, pastrimi apo vendi ku ushtron aktivitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›