E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e re, biznesi i vogël me TVSH

Tatimet propozojnë uljen e xhiros vjetore për biznesin e vogël, për llogari të vlerësimit tatimor. Kërkesa është bërë publike dje nga drejtori i përgjithshëm, Artur Papajani, sipas të cilit është propozuar përgjysmimi i xhiros nga 8 milionë që është aktualisht, në 4 milionë lekë. Ndryshimi i skemës paralajmëron futjen e biznesit të vogël në detyrimin shtesë për tatimin mbi vlerën e shtuar. Plani për të rishikuar xhiron vjetore dhe ndryshimin e klasifikimit të bizneseve ka ekzistuar dy vjet më parë, por nuk u zbatua plotësisht, duke bërë disa ndërhyrje ligjore në klasifikimin e subjekteve ambulante. Dyshohet se rreth 3500 biznese kanë deklaruar xhiro vjetore nën 8 milionë lekë, kur në fakt rezulton e kundërta. Tjetër fakt nga tatimet ka të bëjë me procesin e nisur nga administrata në drejtim të verifikimit të bilanceve, ku sipas Papajanit, shumë subjekte të vogla raportojnë xhiro nën 8 milionë lekë, për t‘iu shmangur kalimit në biznese të mesme. Të paktën deri dje, Ministria e Financave nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar ndaj propozimit të tatimeve, megjithatë pritet të ketë reagime nga ana e komunitetit më të madh të biznesit të vogël, i cili përbën gati 90 për qind të totalit. Burime jo zyrtare thonë për gazetën se ministri Ridvan Bode mund të pranoj një kufi prej 5 milionë lekësh dhe jo 4, sikurse propozuan Tatimet. Administrata tatimore nuk synon të riorganizojë vetëm biznesin e vogël, por edhe atë të mesëm, duke e futur atë te VIP-at, sektori i taksapaguesve të mëdhenj, me drejtori më vete, i cili kontribuon me rreth 55 për qind të të ardhurave në buxhet.
Verifikimi i xhiros
Futja e një pjese të biznesit të vogël do të lehtësonte punën e subjekteve të mëdha që punojnë me fatura TVSH. Me vite të tëra, biznesi i madh është ankuar se subjektet e vogla nuk pranonin fatura për mallin që blinin, si mënyrë për të shmangur detyrimet e tepërta tatimore. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani, thotë se nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak. Statusi i tyre do të ndryshojë që në fillim të vitit tjetër. "Nga investigimi që kemi bërë, del se nuk është reale shifra e deklaruar në deklaratat që biznesi i vogël solli në mars. Rreth 10 për qind e tatimpaguesve të biznesit të vogël në gjithë Shqipërinë doli me xhiro mbi 2 milionë lekë. Pas investigimeve në gjithë territorin, dolën të paktën 3500 subjekte që janë kontingjente gati për të kaluar në biznes të madh, të cilët nga investigimet tona e kanë kaluar atë shifër që kanë deklaruar në pushtetin lokal me 2-3 milionë lekë xhiro", tha Papajani.
Klasifikimi i ri
Kjo është njëra anë e reformës së re që po nis. Tatimet i kanë dërguar Kryeministrit, përmes Ministrisë së Financave, propozimin për uljen e xhiros vjetore të biznesit të vogël nga 8 milionë lekë, në 4 milionë. Kalimi i pragut i dërgon subjektet e vogla në skemën e TVSH-së. "Ne i kemi propozuar ministrit të Financave uljen e këtij pragu. Pra, për ta përgjysmuar këtë prag, thjesht nga fakti që sistemi fiskal e pranon një përgjysmim të tillë dhe kapacitetet tona janë plotësisht të afta për t‘i administruar këto", tha Papajani. Kjo është përplasja e dytë e këtij lloji. Kur demokratët morën mandatin për të qeverisur në shtator 2005, nga Ministria e Financave nisi fushata e klasifikimit dhe verifikimit të bilanceve të biznesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›