E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku vlerësohet ndaj valutave të tjera

Luhatjet në tregun valutor të kryeqytetit në javët e fundit kanë qënë të theksuara. Euro është monedha më e spikatur që po humb terren në raport me lekun, por edhe monedhat e tjera kanë pësuar një zhvlerësim të lehtë.

Gjatë ditëve të javës luhatjet kanë qenë të mëdha. Në mesjavë euro dhe dollari u zhvlerësuan ndjeshëm dhe të shtunën "pikjata" ishte më e thellë krahasuar me një javë më parë ku niveli i këmbimit me lekun ishte më i lehtë.

Ekspertët thonë se sezoni turistik dhe kthimi i emigrantëve për pushime po jep efektet e tij në luhatjen e kursit të këmbimit.

Në mesditën e kësaj të shtune në tregun valutor të Tiranës një euro këmbehej në blerje me 141.2 lekë në një kohë që një javë më parë ishte 142.4 lekë dhe dy javë më parë ishte edhe më shtrenjtë në 142.6 lekë. Kjo javë ka sjellë një zhvlerësim të euros në raport me lekun më të lartë se java e kaluar.

Ndërkohë, sipas shifrave të mesditës të së shtunës së 18 qershorit rezulton që dollari të jetë zhvlerësuar edhe më shumë. Ai këmbehet me 98.6 lekë nga 99.7 lekë që ishtë javën tjetër dhe nga 99.2 lekë që këmbehej para dy javësh. Me rreth 0.6 lekë ndryshon kursi i këmbimit për shitjen e monedhave të huaja.

Sipas ekspertëve, kjo tendencë që është vënë re gjatë gjithë muajit qershor, do të zgjasë gjatë gjithë sezonit veror.

(a.h/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›