E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lekundet qeveria greke

Të rrufeshme janë zhvillimet politike, pas rezultatit të takimit të djeshëm të kryeministrit grek Jorgos Papandreu me Presidentin francez dhe Kancelaren gjermane në kuadër të Samitit të liderëve të 20 vendeve më të fuqishme të botës, G-20.

Vendimi i ministrit të Financave Evangelos Venizelos duket se po lëkund qeverinë, e cila nesër do të kalojë një mocion votëbesimi në parlament. Qysh në orët e para të mëngjesit të së enjtes, zëvendëskryeministri Evangjelos Venizellos ka deklaruar se është kundër një referendumi, në të cilin do të vihej në pikëpyetje ekzistenca e Greqisë në eurozonë.

Deklarata e tij është mbështetur më pas nga më shumë se gjysma e ministrave të kabinetit qeveritar të cilët kanë kërkuar që qeveria të zbatojë marrëveshjen e Samitit të BE dhe të mos hyjë në rrugën e peripecive të tjera tepër të rrezikshme.

Deputetja e PASOK-ut, Eva Kaili shpalli të enjten paradite largimin nga grupi parlamentar dhe deklaroi se nuk do t'i japë votëbesim qeverisë. Votëbesimin ndaj qeverisë nuk ka për ta dhënë as deputetja tjetër e PASOK-ut, Elena Panariti. Sipas mediave greke ekziston një skenar i dytë sipas të cilit, ministri i financave Venizelos mendon krijimin e një qeverie të shpëtimit kombëtar me përfaqësues të opozitës, me kryetar Antonis Samaras.

Pas kthimit nga Kana, Venizelos, deklaroi se "vendi i Greqisë në zonën euro është një arritje historike që nuk mund të vihet në diskutim. Kjo arritje e popullit grek nuk mund të varet nga zhvillimi i referendumit".

Ndërkaq Demokracia e Re e opozitës e karakterizon kryeministrin si "të rrezikshëm" dhe thekson se pas asaj që ndodhi në Kanë, është e qartë se duhet të largohet. Zëdhënësi i kësaj partie, Janis Mikelakis, e akuzoi kryeministrin për "dezinformim mjeran të liderëve europianë, duke iu paraqitur se në Greqi ka gjoja diskutim për qëndrimin e vendit në BE dhe në eurozonë".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›