E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: “Kandidatët të deklarojnë pasurinë deri më 3 korrik”

Autori i Lajmit: red.
Përcaktohen standardet dhe kriteret për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Grupi i punës i ekspertëve ligjorë, i ngritur nga Presidenti pas shqyrtimit të propozimeve të ardhura nga grupet parlamentare si dhe propozimet e ekspertëve, i sugjeroi Presidentit kriteret dhe standardet e vlerësimit të kandidatëve për anëtarë të kësaj Gjykate. Gjithashtu grupi i ekspertëve ka ftuar kandidatët që deri në 3 korrik të deklarojnë pasurinë dhe burimin e saj. Ekpsertët në bazë të kritereve të vendosura marrin në konsideratë arsimin e lartë juridik, mënyrën e kryerjes së tij, kualifikime shkencore, vjetërsinë në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit si dhe periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna. Të tjera kritere të përcaktuara nga ekspertët janë integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë patur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij, tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit. Ndërkohë që kandidatët nuk duhet të kenë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ndërsa inkurajohet karriera gjyqësore. Pas rrëzimit nga Kuvendi më 16 qershor të pesë dekreteve të Presidentit për anëtarë të kësaj Gjykate, Presidenti i Republikës propozoi ngritjen e një grupi pune me ekspertë, të cilët do të ofronin asistencë ligjore në përzgjedhjen e emrave të rinj për detyrën e gjyqtarit, në organin më të lartë të gjyqësorit shqiptar.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›