E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi dhe Isaraj hartuesit e draftit për spiunët

Autori i Lajmit: red.
Aleksandër Biberaj nuk do të jetë më hartuesi i draftit përfundimtar për projektligjin e ri për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Komisioni i Ligjeve caktoi dje dy relatorët që do të punojnë mbi tre projektligjet e dorëzuara në këtë komision. Aldo Bumçi nga Partia Demokratike dhe Arben Isaraj nga Partia Socialiste, do të jenë dy deputetët që do të bashkëpunojnë, për të sjellë në Kuvend projektligjin, që bashkon variantet e paraqitura deri tani.
Vendimi
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, ka pohuar se Bumçi dhe Isaraj do të jenë dy relatorët e rinj ndërkohë që pritet që ditën e hënë të kenë një mbledhje të komisionit për këtë çështje. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, pohoi dy ditë më parë se janë të paktën 10 kategoritë për të cilat do të propozohet hapja e dosjeve. Kështu, sipas tij, kategoritë që do të preken janë nivelet e larta të administratës, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, diplomacisë dhe përfaqësuesit kryesorë të mediave. Ai ka pohuar madje se do të propozohet gjithashtu edhe hapja e dosjeve për rektorët, dekanët, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, krerët e lartë të partive, krerët rajonalë të partive. Duke folur për tre draftet, të cilat pritet të shkrihen në një, deputeti demokrat Biberaj është shprehur se drafti më i pranueshëm është ai i demokratëve që ka pak ndryshime nga ligji i vitit 1996. “Mendoj që drafti më i mirë është i PD-së, pasi bazohet në ligjin që është aplikuar në vitet 1995-1996. I dyti ka qenë i PDK-së dhe i treti i PS-së, i cili mendoj se ka qenë vetëm sa për të qenë në lojë”, - theksoi dje Biberaj në një prononcim për mediat. Prej dy vitesh në kryesinë e Kuvendit ndodhen tre drafte të paraqitura nga PD-ja, PS-ja e PDK-ja, të cilat nuk u futën asnjëherë në seancat e punimeve.
S. T
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›