PD: Rama ka blerë gazetat që shkruajnë për centralin
Partia Demokratike ka deklaruar dje se Edi Rama ka blerë një gazetë në Kroaci, e cila ka shkruar për centralin bërthamor. Zëdhënësja e PD, e cila lexon deklaratat që i jepen, ka theksuar se vetëm kjo media ka raportuar për centralin.
Deklarata e saj erdhi si përgjigje e qëndrimit të PS kundër centralit bërthamor.
“Plani i Sali Berishës për të ndërtuar centralin bërthamor në Shkodër është tashmë i qartë për të gjithë shqiptarët. Vetëm pasi u njoh me rezultatet e sondazhit të fundit, që tregonin se mbështetja e Partisë Demokratike në Shkodër është në rënie të ndjeshme prej vendimit të kryeministrit për të ndërtuar centralin bërthamor, Sali Berisha vendosi të mohojë planin e tij.
Ne nuk do të lejojmë që Shkodra të mashtrohet nga i njëjti person që mashtroi Vlorën”, - tha zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli.
Në përgjigje të saj, zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli, tha se Rama po blen mediet kroate.
“Mimi je bërë me të vërtetë për të ardhur keq. Mos gënje çdo ditë, se po vazhdove kështu do keqpërdoresh dhe ti si Braçja dhe Balla. Në vend që t’u kërkosh të falur qytetarëve të Shkodrës se i mashtrove me fjalët false të Ramës që ai kish paguar në një gazetë kroate, tani po me fjalët e tij paraqitesh para medieve, se beson gënjeshtrat që ke thënë herën e parë. Meqë do të dish për sondazhet në Shkodër, po t’i them unë: Partia Socialiste në Shkodër është gjithsej 13% dhe me këtë zinxhir gënjeshtrash që prodhon do përfundoni edhe më poshtë se kaq”, - tha Mëhilli.
Për centralin
Se sa e vërtetë është që mediet që po shkruajnë për centralin janë të blera, këtë e tregon shumë thjesht interneti, për të gjithë ata që dinë të navigojnë. Mjafton të kërkosh me emrin e Shqipërisë dhe Kroacisë për të parë se një numër shumë i madh mediesh ndërkombëtare e kanë bërë fakt të kryer ndërtimin e centralit.
Që nga “Deutsche Welle” në Gjermani e deri te gazeta “Wall Street Italia”, kanë raportuar për një gjë të tillë. Edhe po të pretendosh se raportet e tyre janë bazuar tek e njëjta agjenci dhe i njëjti burim, prapë duket e pamundur, sepse bëhet fjalë për media shumë të mëdha e serioze.
Por ajo çka është më e rëndësishme, është që mediet e rajonit, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë, e kanë trajtuar gjerësisht këtë çështje.
Gazeta “TemA” botoi një ekstrakt të këtyre shkrimeve në editorialin e shkruar nga Ardian Ndreca.
“Qysh me 10 shkurt 2009 gazeta kroate “Jutarnji” shkruente: “Kroacia dhe Shqipnia kanë me ndërtue centralin bërthamor”, artikulli i gazetarëve Sergej Trajkoviç dhe Adriano Milovan - citonte krenët e naltë të qeverisë kroate dhe e paraqiste si nji fakt të kryem marrveshtjen mes dy vendeve.
Me datën 11/2/2009 gazeta tjetër kroate “Poslovni Dnevnik” botonte shkrimin me titull: “A ka me u ndërtue centrali në Shqipni? Kroacia do të heqin ketë vit vizat për shqiptarët”.
Kurse revista “Globus” (nr. 954/2009), i kushton Berishës e Sanaderit kopertinën, ku lexojmë: “Vendimi i Berishës. Oferta që i asht ba Sanaderit nga ana e Tiranës”.
Ndërsa revista “Nacional” në datën 13/4/2009 titullon: “Mediet serbe: Kroacia dhe Shqipnia kanë nevojë për miratimin e Malit të Zi për ndërtimin e centralit atomik”.
Kurse në shtypin malazez Mustafa Canka shkruente me datën 10 prill në gazetën “Monitor Online”: “Liqeni ka me ftohë reaktorët”, dhe ndër të tjera paraqiste preokupimin e kryetarit të shoqatës mjedisore ulqinake “Hapi i blertë” (Zeleni korak), Xhelal Hoxha, për rrezikun që paraqet ky central për mjedisin dhe ekosistemin e gjithë rajonit. Ndër të tjera artikullshkruesi nënvizon reagimin e Komisionit Evropian, që i thotë Shqipnisë se asaj i duhet me ba hapa gjigantë për me mbërrijtë me ndërtue centrale të tilla.
Ndërsa gazeta joqeveritare “Dan Online” boton me 16/4/2009 shkrimin me titull: “Prej qeverisë (së Malit të Zi: shën. yni), pohojnë se Shqipnia nuk mundet me e ndërtue centralin pa miratimin e Malit të Zi”. Burimi asht zv/ministri Sinisha Stankoviç. Vërejmë se edhe artikulli i kësaj gazete joqeveritare nuk asht i nënshkruem.
Ndërsa me datën 17/4/2009 gazeta proqeveritare “Vijesti” tue citue Milo Gjukanoviçin shkruen: “Ekzistojnë mekanizmat mbrojtëse. Kryeministri Milo Gjukanoviç thotë se nuk duhet me u nervozue dhe me çue peshë median për sa i përket lajmit të ndërtimit të centralit atomik në Shkodër”.
Ndër media italiane përmendim “La Voce” (17/4/2009) që botonte titullin: “Shqipni: centrali atomik do të bahet” dhe nëntitullin “Marrveshtja mes Shqipnisë dhe Kroacisë parashikon përdorimin e teknologjisë kroate dhe të krahut të punës shqiptar”. Ndërsa ndërmarrja kroate “Hrvatska Elektroprivreda” do t’i japë vendit ma të vorfën në Ballkan dijet dhe teknologjinë e nevojshme për me realizue ketë vepër”, - shkruan Ndreca.
Mashtrimet e Berishës
Ajo çka bie në sy në gjithë këtë debat, është mashtrimi i hapur i kryeministrit shqiptar. Dje ai hodhi poshtë të gjithë zërat për këtë central, duke mos u dhënë shqiptarëve as informacionin më minimal për këtë gjë.
“Para 10 ditësh Rama porosit një gazetë kroate për të botuar një trillim fund e krye dhe tani drejton fushatën mbi trillimin e shkruar në një gazetë kroate, të cilën e përgënjeshtroi edhe qeveria kroate. Cili kryetar opozite është ai që krijon trillime dhe i paraqet ato si alternativa dhe shkon në Shkodër dhe thotë nuk do të lejojmë ndërtimin e kujt, të hiçit? Nuk mund të them gjë tjetër për të, veçse fale Zot për ato që bën, sepse kjo është gjëja më e pa konceptueshme. Boton në gazetën kroate artikullin dhe shkoi në Shkodër dhe tha se nuk do të lejojmë të ndërtohet central. Por si mund të ndodhë kjo, kur si qeveri, edhe Bushatin e hoqëm dhe e shndërruam në Ashtë dhe në këtë mënyrë ia ulëm jo pak, por rreth 40 deri në 50 - megavat kapacitetin, vetëm për të ruajtur ekosistemin e Shkodrës? Tani ai do ta transferojë në Sarandë centralin. Do të paguajë një gazetë në Korfuz dhe do të thotë se do ndërtohet centrali në Sarandë dhe do drejtojë demonstratat në Korfuz e Sarandë kundër centralit”, - tha Berisha.
Por të gjithë i mbajnë mend deklaratat e Berishës në kërkim të centralit bërthamor, dhënë medieve të huaja, por dhe të deklaruara publikisht në Shqipëri. Tani që në skenë shfaqet centrali, Berisha heziton të tregojë se ku do e vendosë.
Nis sot mbledhja e firmave kundër ndërtimit të centralit bërthamor
Qytetarët shkodranë nisin mbledhjen e firmave kundër ndërtimit të centralit bërthamor pranë qytetit të tyre. Një gjë e tillë është konfirmuar nga përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare të këtij qyteti. Nismës së tyre i janë bashkuar dhe intelektualë të ndryshëm dhe deputeti i këtij qyteti, Gilman Bakalli. Mbledhja e firmave do të realizohet sot para Radio Shkodrës duke nisur nga ora 9 e mëngjesit deri në mesditë