E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lëndë shpërthyese drejtorit të teatrit, Kristaq Skrami

12/06/2005  Dyshohet të jetë vënë nga dy adoleshentë

VLORË – Një sasi eksplozivi ka shëprthyer në derën e shtëpisë së drejtorit të teatrit të Vlorës, Kristaq Skrami. Ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm, fatmirësisht është mbyllur pa viktima, vetëm me një gjendje terrori në familjen Skrami.

Sipas burimeve policore, lënda shpërthyese nuk ka qenë e tipit dinamit apo tritol, por një lëndë e lehtë shpërthyese. Sipas zëdhënësit të policisë, Enkeljed Selmani, mësohet se lënda shpërthyese është vendosur gjatë mëngjesit të djeshëm, rreth orës 05.00, nga të paktën dy persona, që mendohet të kenë qenë adoleshent pasi, nga roja i shkollës 9-vjeçare “Jani Minga” janë parë dy të rinj rreth 18 vjeç, që kanë ikur me vrap rreth 5 minuta para shpërthimit.

Ende nuk dihet motivi i kësaj ngjarjeje, pasi vetë drejtori i teatrit ndodhet jashtë shtetit për motiv pune. Edhe familjarët nuk kanë ditur motivet e kësaj ngjarje dhe nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për policinë e Vlorës.

Drejtori i policisë së Qarkut të Vlorës, Josif Shtëmbari, pohoi se, kemi marrë gjithë faktet e lënë nga autorët dhe i kemi dërguar në laboratorin e kriminalistikës për ekzaminim të gjurmëve të gishtave. Në vendngjarje janë gjetur pjesë nga lënda e lehtë shpërthyese dhe disa copa plasmasi, i cili po digjej.

Ky është një akt i paprecedent rreth figurave të artit, ku veçanërisht familja Skrami gëzon një popullaritet në qytet e nuk ka pasur probleme të mëparshme, pohuan burime pranë policisë kriminale.

Gjithsesi nga policia e prokuroria është ngritur një grup i posaçëm pune për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›