E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plazhi i Golemit pa qendër shëndetësore

12/06/2005  Premtimet i merr era, shtimi i popullsisë dhe i pushuesve rrit shqetësimin për mungesën e kujdesit mjekësor

DURRES - Plazhi i Golemit, zona shumë e frekuentuara në sezonin turistik, do të vazhdojë të ndiejë mungesën e një qendre shëndetësore. Megjithëse premtimet për ndërtimin e saj kanë qenë të përsëritura disa herë, projekti nuk ka mundur të jetë pjesë e prioritetit të kësaj zone.

Në këtë komunë, krahas problemeve, që lidhen me infrastrkuturën rrugore, mungesën e ujit të pijshëm dhe ndotjen e plazhit, pushuesve do t’u duhet të përballen edhe me mungesën e shërbimit shëndetësor.

Kryetari i komunës së Golemit, ka kërkuar prej viteve që qeveria të akordojë fonde për ndërtimin e një qendre shëndetësore, e cila do të mund të shërbente për banorët që kanë populluar zonën turistike, por edhe pushuesit e shumtë. Madje, pushteti vendor ia ka bërë kërkesën edhe Ministrisë së Turizmit, duke këmbëngulur disa herë te zëvendësministri i Turizmit, Artan Lame.

Sipas burimeve nga kjo komunë mësohet se, qendra shëndetësore ka qenë e përfshirë në projektet prioritare. Madje, është pohuar se krahas saj do të ndërtohet një kompleks shërbimesh për t’i shërbyer shndërrimit të zonës në një plazh me drejtimin elitar. Por, ndryshe nga premtimet, projekti për qendrën shëndetësore vazhdon të jetë i mbyllur në sirtarë, ndërkohë që zona përgjatë bregdetit në Golem është ndër më të preferuarat për ndërtimin e kompleksit turistik.

Pushuesit, që thonë se janë frekuentues të rregullt të këtij plazhi, janë shprehur se në këtë zonë e vetmja gjë që ka ndryshuar, krahasur me një vit më parë, është shtimi i numrit të hoteleve, bareve, vilave dhe lokaleve, ndërkohë që investimet shtetërore për ta përshtatur me plazhet e frekuentuar nuk kanë mundur të sistemojnë infrastrukturën.

Banorët e zonës kanë thënë se shërbimet shëndetësore i kryejnë në qendër të komunës, ndërsa janë shprehur se gjatë verës ky lloj shërbimi i domosdoshëm nuk ofrohet në kohën e duhur, për shkak të largësisë së qendrës ekzistuese.

Zyrtarisht është thënë se këtë vit në plazhin e Golemit do të vendoset një qendër shëndetësore provizore me një personel mjekësor të vogël, ndërkohë që deklarimet ende nuk janë bërë të prekshme.

Por qendra shëndetësore nuk është i vetmi problem, pasi banorët dhe pushuesit kanë ngritur edhe shqetësimin e mungesës së rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza, infrastruktura e ujit të pijshëm, dushet dhe nyjet sanitare publike etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›