Lëndë të rrezikshme në pyllin e Sodës
VLORE - Pylli i Sodës është drejt degradimit nga prerjet e pishave, si dhe ndotja masive jo vetëm nga inertet, por dhe nga lëndët me kimikate, goma makinash, prodhime deti etj, të cilat janë hedhur në të gjitha sipërfaqet e saj. Ditët e fundit në një pjesë të pyllit janë hedhur pirgje me mbeturina inertesh, si dhe disa thasë të mëdhenj me një peshë prej 1.400 kg me një lëndë e dyshuar si kimike. Sasia e kësaj lënde që mendohet të jetë shumë e rrezikshme, por edhe inertet e tjera nuk hidhen në vendin e përcaktuar nga bashkia, por persona të papërgjegjshëm i shkarkojnë ato sapo futen në pyll. Madje edhe në mes të ditës në pyllin e Sodës sheh mjete që hedhin inerte dhe mbeturina të ndryshme. Gjithashtu persona që presin pisha, si dhe mjete që i ngarkojnë ato dhe që nuk shqetësohen nga askush, madje as nga Policia Pyjore. Qytetarë të indinjuar shprehin keqardhje për këtë katastrofë të pyllit, i cili çdo ditë e më shumë po shkatërrohet. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Vlorë, Niko Dumani u shpreh se pasi është informuar për këtë situatë ka ushtruar kontroll për të verifikuar lëndën e hedhur në formën e një stukoje, të ambalazhuar në thasë të mëdhenj. Kjo lëndë është hedhur në disa pika të pyllit, duke filluar në afërsi të hyrjes për në Petroliferë e në drejtim të TEC-it, Vlorë e më tej deri në afërsi të Zvërnecit. q.b