E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim tjetër në Sarandë, i vihet tritol biznesmenit



SARANDE/ SHPRESA DINE

Një shpërthim i fuqishëm tritoli, në një nga lokalet e qytetit terrorizoi mbrëmjen e së martës banorët e Sarandës ndërsa ndodheshin në qetësinë e "black-out" që u regjistrua mbrëmjen e së martës. Pak minuta pasi i gjithë qyteti u mbulua nga errësira, persona ende të paidentifikuar shpërthyen një sasi eksplozivi në një biznes në lagjen nr.2. Ngjarja sipas policisë ndodhi në lokalin e shtetasit Odisea çipa, ndërkohë që ngjitur me të ndodhet edhe një piceri, në pronësi të vëllait të tij. Mësohet se autorët janë afruar në lokalin që shërben si bar në momentin kur objekti ishte mbyllur për shkak të ikjes së dritave dhe kanë vendosur një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive të llojit tritol. Shpërthimi i tij është dëgjuar thuajse në gjithë qytetin e Sarandës. Duket se seriali i shkatërrimit të pronës me eksploziv e me zjarr do të vijojë, ndërsa autorët janë të lirë. Në vendngjarje janë regjistruar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht pa viktima. Vendi ku ndodhi shpërthimi është një zonë e populluar dhe e frekuentuar për shkak të disa lokaleve pranë e pranë. Gjithashtu afër vendit të shpërthimit ndodhet edhe një bllok pallatesh, në rrugën që të çon më pas për në zonën e quajtur "Lugu i Dardhës". Policia e Sarandës mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe mori në pyetje pronarin e biznesit të dëmtuar. Ky i fundit, sipas burimeve nga grupi i hetimit është shprehur i habitur me aktin, pasi sipas tij ai nuk kishte konflikte me njeri. Agjentët e Policisë Kriminale kanë nisur menjëherë hetimet për veprën penale, "shkatërrim i pronës me eksploziv", por ende nuk ka asnjë të identifikuar si autor të mundshëm. Një javë më parë u shkatërrua me zjarr automjeti i ish- prokurorit, sot avokat, Arben Koka, ndërsa autorët ende janë të paidentifikuar. Ndërkohë pak kohë më parë u shkatërrua me lëndë plasëse makina e një oficeri të policisë. Saranda është kthyer kohët e fundit si një nga qytetet më të "zhurmshme" në vend, për shkak të shpërthimeve të herëpashershme të lëndëve plasëse. Pas kapjes së bandës "B13", policia iu adresoi atyre disa raste të shpërthimeve duke shpresuar se seriali mori fund, por, historia vazhdon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›