Vrasja te Kartodromi, avokati: Shenjat e gishtave, pa vlerë
TIRANE - Lavdërim Tufa, i akuzuari për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur edhe si "Miri i Xhikes" në vitin 2003, kërkoi dje në gjykatën e Tiranës pavlefshmërinë e provave të gjurmëve të gishtave në dosje. Kërkesa u artikulua në seancë nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Tufa, i cili pretendoi probleme procedurale në sigurimin e kësaj prove. Burime pranë seancës sqaruan se avokati i Tufës pohoi para togave të zeza, se gjurmët e gishtave nuk janë marrë nga organi kompetent dhe se nuk janë marrë në formën e duhur procedurale. Bëhet fjalë për gjurmët e gishtërinjve të një arme të gjetur pranë vendit të ngjarjes, si edhe të vetë të pandehurit. Gjykata do të shprehet në lidhje me kërkesën, pasi të ketë dëgjuar dhe pretendimet e përfaqësuesit të akuzës në lidhje me të. Gjatë gjykimit të parë të Lavdërim Tufës te Krimet e Rënda, një ndër pikat më të nxehta të gjykimit ishte debate mbi analizën e AND-së të një fijeje floku të gjetur në një maskë të hedhur pranë vendngjarjes. Sipas analizave gjenetike të kryera nga një gjenetiste britanike, fija e flokut e gjetur në maskë korenspondonte mbi masën 90 për qind me AND-në e të pandehurit Tufa. Ngjarja për të cilën akuzohet Tufa ndodhi në 29 mars 2003 te kompleksi "Kartodrom". Breshëritë e armëve të zjarrit të derdhura mbi një tavolinë të kompleksit gjatë një atentati mafioz, vranë tre persona, mes të cilëve edhe Fatmir Ramën(Miri i Xhikes). Rama ishte në shoqërinë e katër personave në momentin e atentatit. Vetëm njëri prej tyre mundi të reagojë duke qëlluar drejt atentatorëve. Ndonëse sipas hetimeve pas ngjarjes, atentatorët ishin më shumë se një person, tetë muaj më vonë si përgjegjës u arrestua vetëm Lavdërim Tufa.