E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyten 3600 ha, ushtria zbarkon në qarkun e Shkodrës



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Ushtria zbarkon me kamionë, varka e çadra kampingu në komunat e Shkodrës. Ujërat e lumenjve dhe rezervuareve shkaktuan dje 3600 hektarë të përmbytur, duke e bërë valën e përmbytjeve në këtë rajon të pashmangshme nëse reshjet nuk ndalen. Rreziku kësaj radhe është shtuar, pasi Shkodra ndihet e kërcënuar jo vetëm nga shkarkimet e hidrocentraleve, por nga prurjet e lumit Kir, Gjadër si dhe të rezervuarit të Shtodrit, prurje këto që në janar ishin tejet minimale. Ditën e sotme mësimi në të gjitha komunat dhe lagjet e prekura do të pezullohet, ndërsa është kërkuar që të kthehen në gatishmëri dhe konviktet e shkollave.
Tashmë në Shkodër flitet vetëm për përmbytje, pasi frika është shtuar më shumë te banorët. Nga ana tjetër, ndonëse strukturat e shtetit po tregojnë se kanë eksperiencë për të përballuar këtë situatë, të papriturat vazhdojnë. Një prej tyre është dhe lumi Kir, prurjet e të cilit kanë bërë që të përmbyten tokat në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të komunës Guri i Zi, tokat e lagjes "Ajasëm" në qytetin e Shkodrës dhe po i afrohet uji banesave të kësaj lagjeje. Probleme ka dhe në lagjet Bahçallëk, Livadhe dhe "Mark Lulaj". Rritja e nivelit të ujërave në lumin Kir, krahas reshjeve dhe shkrirjes së borës në zonën e Mbishkodrës ka ardhur edhe nga shkarkimet e bëra nga rezervuari i Shtodrit. Ky i fundit në janar nuk nxirrte asnjë pikë ujë, por kësaj here është mbushur me kapacitet të plotë, duke detyruar Bordin e Kullimit të hapë portat fundore.
Gjithashtu problemet kanë rifilluar në fshatrat Obot të komunës Ana e Malit ku fillimisht është bërë evakuimi i 5 familjeve, të cilët rrezikohen nga niveli i ujit, si dhe në fshatrat e zonës së Dajçit. Në rrugët e zonave të rrezikuara të komunës Dajç është dalluar dje prezenca e forcave të shumta të ushtrisë dhe policisë, ndërsa uji po mbulon me shpejtësi fushat. Niveli i lartë i ujit ka bërë të pakalueshme dhe rrugën e vetme që lidh komunën e Dajçit me pjesën tjetër të vendit. Për të parë nga afër situatën, paraditen e djeshme ministri Basha ka inspektuar fshatin Darragjat, pasi argjinatura e këtij fshati është tejet delikate. Sipas banorëve, vetëm disa thasë me rërë të vendosur nga ushtria e mbajnë ujin pa depërtuar në këtë fshat. Ministri Basha i ka pohuar fshatarëve të kësaj zone që urgjentisht të largojnë gratë dhe fëmijët, si dhe bagëtitë, pasi sipas parashikimeve prurjet do të vazhdojnë edhe për disa ditë.
Përballë panikut dhe paralajmërimit për t'u larguar nga shtëpitë banorët e kësaj zone nuk kanë pranuar, jo vetëm se nuk kanë mjete transporti, por as nuk kanë ku të shkojnë. "Kësaj radhe nuk mund t'u biem më qafë të afërmve tanë që të na strehojnë e të mbajnë me ushqim gjënë e gjallë", janë shprehur ata, duke kërkuar si zgjidhje vendosjen e sa më shumë thasëve me rërë nga ushtria për forcimin e argjinaturës.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u mblodh Komiteti Ndërministror i Emergjencave, në lidhje me situatën më të fundit në qarkun e Shkodrës. Në takim ishin të pranishëm, ministri Genc Ruli, ai i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, ai i Mbrojtjes, Ekrem Spahija si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. "Situata nuk është alarmante ndërkohë që nga ana e grupit ndërministror po merren masa që ajo të jetë nën kontroll", u shpreh Ruli. Në mbrëmje u vendos edhe struktura e grupeve të ushtrisë për monitorimin e zonave të rrezikuara, në Bashkinë e Shkodrës dhe komunat e rrezikuara do të mbërrijnë qindra forca të ushtrisë, në dispozicion të të cilave do të jenë dhe mjete transporti e varka me motor, në gatishmëri për të evakuar banorët. Janë ngarkuar forca të tjera për të montuar çadra në fshatrat Pentar dhe Suka Dajç të komunës Dajç, dhe në fshatin Bërdicë të komunës me të njëjtin emër.

Situata e rrugëve

Të bllokuar
Aksi Pukë-Fushë Arrës, 2 km në dalje të qytetit
Aksi Qafë-Mali Fierzë, në fshatin Porovë dhe Fierzë
Aksi Lozhan-Moglicë në Korçë, pas shembjes së urës
Aksi Librazhd-Peshkopi, nga Dregalica në Stërblevë
Rruga Shëngjin-Kune, qarkullimi në rrugët dytësore

Me probleme
Aksi Burrel-Klos (çezma e Dungut), rruga me një kalim
Aksi Fushë Arrëz-Iballë, i kalueshëm vetëm për mjetet e vogla
Aksi rrugor Gjirokastër-Tepelenë, me një kalim
Aksi Tepelenë-Këlcyrë-çarshovë, me një kalim
Aksi Tepelenë-Memaliaj, në Runaj, rruga me një kalim
Aksi Vlorë-Orikum, në Jonufër km 9, me një kalim
Aksi Sarandë-Qafë Muzinë, në Shtreg, me një kalim
Aksi Vlorë-Selenicë, me një kalim te vendi i quajtur Bishti i Malit
Aksi Vlorë-Tepelenë, me një kalim nga Qafë Dushku në Qafë Dorëz
Aksi Vlorë-Borsh, ka cedim të rrugës
Aksi Fier-Fratar, me një kalim në Qafë Lalaj dhe Greshnicë
Aksi Poliçan-çorovodë ka probleme si pasoj e rreshqitjeve, prane fshatit Rripi i Strores qarkullimi kryhet me nje kalim
14. Në të hyrje çorovode vazhdon te jete e aktivizuar nje reshqitje e disa diteve me pare dhe rruga eshte hapur vetem me nje kalim.
15. Në aksin Kakome- Qafë Dërras ka shkarje të dherave e për pasoje qarkullimi i kryet me nej kalim.
16. Në dalje të autostradës Lushnje -Fier, rruga është e përmbytur për shkak të rreshjeve të shumta, qarkullimi kryet nëpërmjet devijimit nga rruga e vjetër.
17. Në segmentin Rreshen-Kurbnesh, qarkullimi kryhet pa probleme.
18. Në segmentin Kurbnesh-Lurë , qarkullimi kryhet pa probleme.

Specialistë në terren pas prurjeve të shumta
çahet diga e rezervuarit në Devoll, me 5 milionë m3/ujë

DEVOLL - Situatë emergjente është konstatuar në një prej dy rezervuarëve të fshatit Koshnicë në rrethin e Devollit. Diga e rezervuarit më të madh pranë këtij fshati ka pësuar çarje anësore dhe rrezikon shembjen nga prurjet e shumta të ujërave. Një ekip specialistësh nga Bordi i Kullimit dhe Drejtoria rajonale e Bujqësisë kanë shkuar për të verifikuar gjendjen në vend. Pasi janë njohur me situatën e kanë vlerësuar atë si alarmante. Nga ky ekip është përgatitur një raport për Ministrinë e Bujqësisë, si për ta njohur me gjendjen edhe për të kërkuar fonde që të ndërhyhet për të shmangur rrezikun që sjell çarja e digës së rezervuarit të Koshnicës. Dhori çekrezi, shef i zyrës së emergjencave civile në Prefekturën e Korçës, tha se rezervuari ka një kapacitet ujëmbledhës rreth 5 milionë metër kub. Sipas tij, dëmtimi i digës së këtij rezervuari është një problem i krijuar prej disa vitesh, por rreziku i shembjes së saj vjen nga prurjet e mëdha të ujërave në këtë sezon dimri. Ndërsa kryetari i komunës së Mirasit, ku përfshihet edhe fshati Koshnicë, Arben Muçka, duke pranuar faktin e çarjes së digës, tha se dëmtimi i saj ka ardhur edhe nga gjuetia e paligjshme e peshkut me lëndë plasëse. Sidoqoftë, specialistët që kanë parë gjendjen e digës së rezervuarit, janë shprehur se atje duhet një ndërhyrje emergjente për riparim, për të shmangur shembjen e digës dhe përmbytjen me pasoja të paparashikueshme të zonës. Reshjet e shiut dhe të dëborës, ndërkaq kanë shkaktuar shkarje masive të dheut në disa zona të rajonit juglindor. çekrezi bëri të ditur se ka shkarje të tokës në fshatrat Plevisht dhe Goçë të Maliqit, në komunat Udënisht dhe Dardhas të rrethit të Pogradecit, fshatrat Moçan të komunës Gorë dhe Kodras të komunës Moglicë, si dhe lLvdar të komunës Voskopojë në rrethin e Korçës. g.a

Fierza 293.5 metra, hapen portat

Nertila Maho

KESH ka filluar dje shkarkimet me 300 m3/s, ndërsa prurjet kanë shënuar rekordin e këtij viti në plot 3000 m3/s, duke pësuar një rënie gjatë mbasdites në kuotën 1890 m3/s. Pas pesë ditësh shkarkime në dy hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit Komisioni i Posaçëm dhe Sekretariati Teknik kanë parë të arsyeshme hapjen e tunelit shkarkues në Fierzë. Ministri i Energjetikës Dritan Prifti, në një konferencë për shtyp theksoi se nuk ka vend për panik, por nëse situata do të vazhdojë të përkeqësohet zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës duhet të jetë e përgatitur. “Jemi duke ndjekur situatën minutë mbas minute. Nuk mendoj që ka asnjë lloj rreziku për kaskadën tonë dhe as vend për panik, përveç faktit që zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës duhet të jetë e përgatitur nëse atje mund të ketë përmbytje” tha ai. Më tej në një paraqitje të situatës në kaskadën e Drinit, Prifti u shpreh se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Fierza është rritur me 87 cm, Komani 99 cm, dhe Vau i Dejës 15 cm. Më tej Prifti shtoi se tashmë niveli i lejuar i Fierzës është 296 metra pasi Rregullorja sanksionon që në momentin kur prurjet në Fierzë kalojnë 1100 m3/s, niveli i saj mund të jetë i tolerueshëm deri në 296 metra. “Komisioni i Posaçëm bashkë me Sekretariatin Teknik janë mbledhur me urgjencë dje në orën 4 të mëngjesit, për të marrë vendimet për situatën dhe për menaxhimin e nivelit të shkarkimeve. është bërë rakordimi me ministritë e tjera, Komisionin e Emergjencës Civile dhe pushtetin lokal në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës, në mënyrë që të paralajmërohen rreziqet që mund të jenë të pashmangshme për përmbytjet” tha kreu i Energjetikës lidhur me masat e mara. Nga ana tjetër KESH dje ka bërë pasqyrimin e situatës në kaskadë, duke dhënë detajet e fundit për prurjet, shkarkimet, prodhimin dhe eksportin. Kështu Komani dje ishte në nivelin 171.87 metra me prurje 850 m3/s dhe shkarkime 800 m3/s. Vau i Dejës shënonte nivelin 75.10 me prurje anësore 350 m3/s dhe me shkarkime në kuotën 950 m3/s. Edhe në Ulëz-Shkopet kanë vijuar shkarkimet të cilat nga 400 kanë arritur 700 m3/s, ndërsa niveli i djeshëm ka qenë vetëm 20 cm poshtë kuotës maksimale të lejuar plot 128.60 metra nga 128.80 metra. Ministria e Energjetikës dhe KESH bënë të ditur dje se në vend vazhdon prodhimi me kapacitete maksimale. “Rezerva energjetike është rritur jashtë mase ditët e fundit rreth me 300 milion këh dhe sot në nivelin e ujit që ka kaskada kemi 1.3 miliardë këh rezervë, që lejon prodhimin e energjisë për shumë muaj në vazhdim. Vazhdojmë të prodhojmë në mënyrë maksimale dhe të eksportojmë në mënyrë maksimale” u shpreh dje ministri Prifti.

Situata dje

Fierza
Prurjet 1890 m3/s
Niveli i liqenit 293.51 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 300 m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Turbinat në punë 4

Komani
Prurjet 850 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 171.87 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 800 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Turbina në punë 4

Vau i Dejës
Prurjet 350 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 75.10 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 950 m3/s
Derdhje turbina 500 m3/s
Turbina në punë 5

Prodhimi 26 milion kwh
Eksporti 8.7 milion kwh

Ringrihet Komiteti Ndërministror i Emergjencës

Situata e rënduar në Veri të vendit ka bërë që të ringrihet edhe një herë Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile. Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi që ky organ të fillojë punë menjëherë për menaxhimin e situatës e cilësuar “emergjente”. Kreu u qeverisë u shpreh se ashtu sikurse në janar kjo duhet të kapërcehet me dëmet më minimale. “Sërish, kemi një situatë emergjente. Mbrëmë, prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Ndaj për t’u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot” tha Berisha duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme. “Të gjitha mjetet të s’postohen drejt zonave potencialisht të mundshme për t’u përmbytur dhe të bëhen të gjitha planet e evakuimit, të ndihmës” vazhdoi Kryeministri. Ai theksoi se duhet të bëhet e pamundura për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, çdo gjë të gjallë të mundshme, në rast se situata thellohet.

Gjatë këtij dimri, lumi shkaktoi 10 herë përmbytje
Fier, Gjanica del nga shtrati,merr para tregun dhe banesat

FIER - Si asnjëherë më parë lumi Gjanica ka tejkaluar prurjet, duke paraqitur rrezik serioz për qytetin e Fierit. Përgjatë gjithë shtratit të lumit niveli i ujit ka kaluar frikshëm normalen. Sipas specialistëve është hera e parë që prurjet janë kaq të mëdha. Nën ujë janë të gjitha pjesët e tregut industrial si dhe disa biznese pranë lumit. Gjithashtu janë bllokuar katet e para të shumë banesave të lagjeve "1 maj" dhe "Sheq". Vetëm gjatë këtij dimri, Gjanica përmbyti më shumë se 10 herë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nga ana e Prefekturës është ngritur edhe shtabi i emergjencës, i cili po studion situatën në terren. Sipas burimeve nga Prefektura, lumi ka prekur ato zona që edhe më parë kanë qenë të rrezikuara nga përmbytjet si dhe tregun industrial. Disa biznese janë tashmë nën ujë dhe bashkë me to edhe mallra të ndryshëm, të dëmtuar totalisht. Këtë herë përmbytja nuk ka kursyer edhe shumë banesa. Qytetarët e prekur nga këto përmbytje u shprehën se kanë mundur të shpëtojnë vetëm pak nga orenditë e tyre, të cilat i kanë ngjitur nëpër tarraca.
Për shkak të reshjeve janë bllokuar edhe disa pjesë të rrugës nacionale Fier-Lushnje, sidomos në Mbrostar, ku për disa orë qarkullimi i automjeteve është bërë me vështirësi. Ndërkohë, dalja nga shtrati e përroit të fshatit Vidhisht ka bërë që rreth 100 shtëpi të përmbyten. Nën ujë, po në këtë fshat janë edhe rreth 110 hektarë tokë bujqësore. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›