E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkrahësit e Ramës sulmojnë Ben Blushin,replikat në mbledhjen e deputetëve të PS-së



Aristir Lumezi

Mbledhja e djeshme e grupit të deputetëve socialistë nuk i shpëtoi debateve të ashpra dhe sherreve mes tyre.
Deputetët vendosën të hyjnë sot në Parlament, të bëjnë betimin, të lexojnë dy kërkesa që do t'i depozitojnë në Kuvend, dhe do të dalin. Ditën e premte, në zyrën e protokollit të Parlamentit, PS do të depozitojë dy kërkesa, të cilat u firmosën dje nga të gjithë deputetët, që kërkojnë ngritjen e komisionit hetimor me objekt hetimi të pakushtëzuar, ku të përfshihen dhe kutitë e votimit. Ndërsa kërkesa tjetër ka të bëjë me përcaktimin në rregulloren e Kuvendit, të nenit i cili i lejon opozitës të hetojë zgjedhjet përmes një komisioni hetimor, duke i lënë asaj shumicën e këtij komisioni. Këto ishin dokumentet, të cilat PS i ka përgatitur që në muajin tetor, kur nisi të mbledhë dhe firmat e qytetarëve. Për këtë pikë të gjithë deputetët ndanin të njëjtin mendim.
Debati
Por në mbledhjen e djeshme, dy nga deputetët socialistë, Arben Malaj dhe Ben Blushi, të cilët janë cilësuar si mendimi ndryshe në PS, bashkë me deputetë të tjerë, kërkuan që të vlerësohej pozicioni i tyre në këto gjashtë muaj dhe të kërkohej ndjesë për etiketimet që i janë bërë si "të blerë nga Berisha" apo "që punojnë kundër PS". Shumica e deputetëve kanë sulmuar Ben Blushin në argumentimin e tij rreth strategjisë së dështuar të bojkotit ndaj Parlamentit që PS ndoqi për gjashtë muaj që pas zgjedhjeve. Malaj, i ka kërkuar grupit që në seancën parlamentare se PS duhet të tregohet serioze dhe të shkojë për të mos humbur mandatin e deputetit. Ai kërkoi zgjedhjen e drejtuesve të grupit, por dhe ndarjen e deputetëve në komisione, dhe në delegacionet ndërkombëtare të Kuvendit. Malaj kërkoi që PS të qëndrojë në Kuvend, pasi rifutja në të do të kishte kosto të lartë për partinë dhe grupin e saj. Por debati i ashpër është bërë mes Blushit dhe deputetëve socialistë mbështetës të kryetarit Rama. Në përpjekjet e tij për të argumentuar bojkotin si dështim politik të PS-së në këto gjashtë muaj, qëndrim që është denoncuar nga ai vetë dhe deputetët e anëtarët e kryesisë që e mbështesnin, Blushi ka marrë një reagim të ashpër nga deputetë pranë kryetarit socialist, duke krijuar një situatë të tensionuar në sallë. Deputetët që kundërshtonin Blushin janë ngritur në këmbë, gati për të prishur mbledhjen, duke i kujtuar atij se këto argumente i kanë dëgjuar shumë herë gjatë muajve të bojkotit. Acarimi ka kaluar deri në sharje banale dhe fyerje, ndërkohë kryesocialisti ka kërcënuar se nuk do të lejojë të prishet kauza dhe fryma e grupit të deputetëve socialistë. Tensioni ka arritur kulmin, derisa Rama ka kërkuar 10 minuta pushim për tu qetësuar, ndërsa deputetët e kanë konsideruar këtë moment si një rast të mirë për të kërkuar një "paqe" për të çuar deri në fund vendimin e marrë për të bërë betimin sot në Parlament dhe për të mbyllur përfundimisht debatin për djegien e mandateve të tyre.

Debati në mbledhje

Arben Malaj: Ky është një vendim politik dhe më parë duhej të përgatitej nga Kryesia e partisë. Oferta jonë politike e paraqitur sot është e paqartë. Nëse ajo nënkupton thjesht betimin dhe paraqitjen e projektligjit dhe pastaj daljen sërish nga Parlamenti, kjo nuk është ndërprerje bojkoti, por një veprim politik i cunguar, jo i plotë dhe jo efektiv. PS duhet të tregojë realisht se do të fillojë një opozitë produktive në Parlament. Ne duhet të bëjmë organizimin e plotë të grupit parlamentar. Së pari, të përzgjedhim drejtuesit politikë të grupit parlamentar dhe së dyti, të paraqesim në seancë propozimet konkrete për përfaqësuesit e PS në komisionet dhe delegacionet parlamentare.
Edi Rama: Qëndrimi ynë është i qartë, do jemi në Parlament me kushtin e hetimit të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Sot nuk jemi në momentin e zgjedhjes së njerëzve që t'i thua.
Arben Malaj: Nuk m'u përgjigje për zgjedhjen e drejtuesve të grupit dhe të komisioneve, s'mund të shkojmë në Parlament pa ndarë detyrat. Unë flas për partinë time dhe për askënd tjetër.
Edi Rama: Nuk do të të jap atë përgjigjen që do ti, ta thashë mendimin tim.
Ben Blushi: Sot jemi gjashtë muaj pas marrjes së vendimit të bojkotit të Kuvendit dhe po bëjmë një veprim që ne e kemi kërkuar 6 muaj më parë. Siç e kemi thënë dhe atëherë, ky ishte një vendim aspak i dobishëm për PS, ne jemi dobësuar më shumë si parti. Atë që ne po bëjmë sot, ne kemi gjashtë muaj që e kërkojmë. Prandaj ju duhet të na kërkoni ndjesë për qëndrimin armiqësor që keni mbajtur, kryesisht e kam me kryetarin, i cili ka mësuar njerëz të na quajnë si të blerë nga Berisha dhe që kemi mision të njëjtë me Berishën. Sot ne jemi këtu, dhe ju po vendosni pikërisht atë që neve na e paska mësuar Berisha.
Edi Rama: Mos vazhdo gjatë se edhe 1 minutë kohë ke!
Ben Blushi: Unë kam kohën time dhe s'mund të ma kufizojë njeri, po flas në forumin e partisë sime. U vërtetua se ky qëndrim nuk do ta çonte PS në asnjë rezultat. Ne nuk arritëm dot të hapim kutitë, nuk arritëm dot të shkaktojmë zgjedhje të parakohshme, nuk arritëm dot të sensibilizojmë komunitetin ndërkombëtar të jetë palë me ne dhe të na mbështesë në iniciativat tona.
(Ngrihen në këmbë disa deputetë dhe nisin zhurmojnë duke kërkuar ndërprerjen e fjalës së Blushit dhe mbylljen e mbledhjes)
Xhemal Qefalia: Ulu se kemi 6 muaj që të dëgjojmë..
Artan Gaçi: Mbylle gojën, qepe boll të dëgjuam..
Ben Blushi: Ju do të dëgjoni argumentet tona që kemi gjashtë muaj që i themi dhe nuk keni dashur t'ia vini veshin, sot po i pranoni me veprime.
Sadri Abazi: Boll të dëgjuam. Kemi gjashtë muaj që dëgjojmë 5 deputetë, ndërsa ne jemi 60 deputetë. S'mund të na imponoheni.
Besnik Bare: Kemi dëgjuar gjithë këtë periudhë të njëjtat gjëra
Ben Blushi: Ti Besnik mos fol, se flet vetëm atëherë kur i ke gjërat të shkruara më parë.
Fatmir Toçi: Ulu Blush se je përkëdhelur shumë, nuk do të dëgjojmë vetëm ty, ngele sa në një televizion në tjetrin dhe thua të njëjtat gjëra. Je bërë maniak televiziv.
Ben Blushi: Ti Fatmir dëgjo më mirë se je deputet i ri, madje unë të kam bërë deputet.
Fatmir Toçi: S'është e vërtetë që më ke bërë ti mua deputet. Ti ke folur keq për mua te Rama. Por nëse do të sqarohemi, dil jashtë po deshe të sqarohemi tamam.
(Ofendohen me njëri-tjetrin dhe Rama kërkon 10 minuta pushim që të qetësohet situata)
Rama çohet të dalë nga salla, ndërsa është deputeti Tom Doshi i kërkon të qëndrojë; "Ti duhet të qëndrosh këtu, s'ke për të ikur, jam unë këtu!"
(Deputetët i kërkojnë njëri-tjetrit të mos vazhdojnë me sherre dhe ofendime, sepse kjo mund të ndikojë në anulimin e vendimit për të bërë betimin)
Pas pushimit
Edi Rama: Nuk është e vërtetë se nuk kemi dalë të fituar nga ky qëndrim i PS në gjashtë muaj. Nëse nuk do të kishim mbajtur këtë qëndrim, nuk do të ishte sensibilizuar faktori ndërkombëtar, i cili nga ana e tij nuk e përjashton hetimin e kutive. Dua të jem i qartë për herë të fundit. Kjo është hera e dytë që prishni mbledhjen e grupit të deputetëve. Nuk do lejoj të vazhdoni të deformoni kauzën tonë brenda dhe jashtë grupit. Nuk do lejoj të prishni frymën e grupit. Do të përfshijmë në statut se kush ofendon do të dalë jashtë mbledhjes. Me kaq mbledhja mbyllet!

Rama: Në Kuvend për hapjen e kutive

ADI SHKEMBI

Partia Socialiste vendos të hyjë në Parlament, për t'i dhënë një mundësi më shumë, siç tha kryetari i saj, Edi Rama, maxhorancës për zgjidhjen e krizës. Përpara se të niste mbledhja e grupit parlamentar në selinë rozë, kreu i opozitës doli në një komunikim me median, ku bëri të ditur se 64 deputetët që nuk kanë bërë ende betimin, do të jenë sot në seancën e radhës kuvendore. "Në respekt të të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të opozitës, që tanimë na mbështetin hapur në betejën tonë kushtetuese e demokratike për transparencë, por edhe të gjithë atyre miqve dhe partnerëve të Shqipërisë që po e dëgjojnë përditë e më shumë me vëmendje zërin e së drejtës së transparencës, ne nesër do t'i japim një shans zgjidhjes së krizës përmes Parlamentit dhe një shenjë të qartë të vullnetit tonë konstruktiv të gjitha palëve", u shpreh kreu i PS-së. Sipas tij opozita ka gati çelësin e kthimit të saj në Parlament dhe nga ky moment i takon Kryeministrit Berisha nëse do ta shohë atë në institucione apo në rrugë. "Me mandatet e popullit opozitar, deputetët e Partisë Socialiste, do të udhëheqin hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral. Nëse në Parlament nuk ka vesh për të drejtën tonë, deputetët do të jenë në krye të protestave pa ndalim, për të çliruar zgjedhjet nga duart e krimit elektoral, që i mbushi kutitë me vota për pushtetin si në Ruzhdien e famshme, ku Sali Berisha qahet përditë se humbi një mandat", vijoi më tej kreu i socialistëve. Rama tha dje se me hyrjen e opozitës në Parlament bien edhe tezat e maxhorancës, sipas të cilës PS-ja nuk njeh institucionet dhe që po djeg mandatet e deputetëve të saj. "Nuk shkojmë në Parlament për të dalë, po as për të ndenjur pa i hapur kutitë. Transparenca zgjidh krizën politike, refuzimi i transparencës do sjellë rëndimin e mëtejshëm të krizës. Duam të zbardhim krimin elektoral, tanimë që Shqipëria dhe bota mbarë, përfshirë edhe vetë OSBE-në që ka shkruar raportin e zgjedhjeve, kërkojmë hetim parlamentar te plotë e të hollësishëm. Dhe duam ta bëjmë këtë siç e thotë populli, për të mos i mbetur borxh askujt", vijoi më tej Rama. Në një konferencë rreth 15 minuta, përpara se në grupin parlamentar të debatohej mbi qëndrimin e PS-së, kreu i kësaj partie, i është rikthyer edhe njëherë zhvillimeve të këtyre gjashtë muajve që e detyruan atë dhe partinë që drejton, të zgjedhë rrugën e protestave dhe bojkotit dhe jo atë parlamentare. "Ky pushtet dëshiron shumë që fati i mandateve të popullit opozitar të mbetet në duart e vetë Saliut, Ilirit dhe Fatosit bashkë, për ta eksportuar m'u në zemrën e opozitës, te grupi i saj parlamentar krizën e rëndë të legjitimitetit të pushtetit", theksoi kreu i socialistëve. Sipas tij "në rast se pushteti nuk do të dëgjojë zërin e arsyes tonë, marsi nuk mund e nuk do të jetë muaji i lojës "e ka kush e ka" të Saliut, Ilirit dhe Fatosit me mandatet e popullit opozitar, por muaji i ngritjes së opozitës popullore në një valë proteste, e cila nuk do të zmbrapset deri në realizimin e qëllimit tonë të patjetërsueshëm, për transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve".

Malaj: Oferta jonë, e paqartë

Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj tha dje se oferta që ka paraqitur opozita për maxhorancën në Kuvend është e paqartë. "Nëse ajo nënkupton thjesht betimin dhe paraqitjen e projektligjit dhe pastaj daljen sërish nga Parlamenti, kjo nuk është ndërprerje bojkoti, por një veprim politik i cunguar, jo i plotë dhe jo efektiv", tha Malaj. "Mbështes kushtëzimin e votimeve në Parlament me trajtimin me prioritet nga Parlamenti të projekt-ligjit që do të propozojë Partia Socialiste për transparencën e zgjedhjeve, duke mos ju rikthyer në bojkot, por duke kushtëzuar agjendën parlamentare. çdo dalje nga Parlamenti nesër, duke bërë vetëm betimin dhe duke dorëzuar vetëm projektligjin, e zbeh veprimin tonë politik dhe e bën më të vështirë rikthimin në Parlament në një kohë të dytë. Në këtë rast ne do të kumbisnim kohë për sfidat tona politike", u shpreh më tej një prej kritikëve të kreut të socialistëve Rama.

Kuvendi miraton kalendarin e punimeve
Konferenca e krerëve të grupeve parlamentare miraton me konsensus kalendarin dhe programin e punimeve për tre muajt e ardhshëm. Kryetarja e Kuvendit, Topalli ka preferuar të miratojë kalendarin për t'ia bërë gati opozitës në seancën e sotshme parlamentare. Sipas njoftimit zyrtar, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli u zhvillua dje në orën 11:00, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve me praninë edhe të nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe të kryetarëve të Komisioneve Parlamentare. Konferenca e Kryetarëve diskutoi dhe, në unanimitet, miratoi Kalendarin trejavor dhe Programin e Punës së Kuvendit deri më 26 prill 2010. Këto dy dokumente të rëndësishme pritet të miratohen në seancën e sotme parlamentare për ti hapur kështu rrugë dhe diskutimeve të projektligjeve nëpër komisionet parlamentare. Ndërsa pritet të ripërcaktohet data se kur do të miratohet në seancë projektligji "Për Shërbimin Informativ Shtetëror".

Blushi: Hyrja dhe dalja nga Parlamenti është lojë kalamanjsh
Kreu i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Ben Blushi i bëri thirrje Partisë Socialiste të hyjë sot në Parlament dhe të mos dalë pas dorëzimit të projektligjit për hetimin e zgjedhjeve, por të vazhdojë aty betejën me Qeverinë. Në një dalje para mediave në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputeti i qarkut të Korçës tha se "natyrisht është koha të themi që ky 6 mujor është harxhuar kot. Për 6 muaj fatkeqësisht PS nuk ka fituar betejën që i vuri vetes përpara, ka komplikuar shumë marrëdhëniet e veta me komunitetin ndërkombëtar, i cili ka bërë presion për të ndërprerë bojkotin, gjë që po ndodh, duke krijuar situata të paarsyeshme dhe krijuar një klimë konfliktuale brenda PS-së dhe natyrisht që ka vendosur një pikëpyetje të madhe që lidhet me të ardhmen e PS-së". Sipas tij "vendimi i grupit ishte që të hyhet në Parlament, të depozitohet një projektligj për hapjen e kutive dhe të dilet prapë jashtë. Kjo e aborton kauzën e PS, që në shtator unë dhe disa kolegë e kemi thënë se, PS e ka mundësinë e depozitimit të kësaj nisme duke u futur në Parlament. Sigurisht këtu nuk ka asnjë ndjenjë triumfi. Por nëse PS do të hyjë dhe do të dalë nga Parlamenti, kjo e vendos PS në një pozitë të vështirë me elektoratin e vet dhe padyshim dhe me komunitetin ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar se hyrja dhe dalja nga Parlamenti është një lojë kalamajsh". Anëtari i kryesisë së selisë rozë theksoi se në gjithë këtë periudhë u vërtetua se PS-ja dështoi në kërkesat e saj për të hapur kutitë, për të provokuar zgjedhje të parakohshme dhe të sensibilizuar komunitetin ndërkombëtar. "Në këto 6 muaj PS ka fituar një të drejtë që e kishte, të drejtën kushtetuese për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të kërkuar të drejtën e saj legjislative, nëse nuk rrëzohet nga shumica. Mundësia për hapjen e kutive ishte siç po rezulton në Parlament. Këtë e kërkon dhe rezoluta e KiE-së, e cila kërkon hyrjen në Kuvend të opozitës dhe dërgimin e kërkesë në Komisionin e Venecias, dhe cilado qoftë përgjigja e tij, ajo duhet ta gjejë opozitën në Kuvend", u shpreh më tej Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›