E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lendet radioaktive, tani nuk i ruan askush

Lëndët radioaktive, të cilat ndodhen në depozitat e ish-Institutit të Fizikës Bërthamore nuk ruhen sipas kushteve të larta të sigurisë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, ky ish-institut i kthyer në qendër si pasojë e reformimit në fushën shkencore, është sektor i rëndësisë së veçantë dhe materialet që ruhen në këtë institut duhet të mbrohen sipas rregullave të sigurisë së veçantë. Por tashmë, në këtë qendër nga dy efektivë të forcave të policisë rrallëherë mund të gjesh ndonjë "mbrojtës" të këtyre materialeve. Në të tilla kushte ku ruhen këto lëndë radioaktive mund t‘i lehtësojnë punën keqbërësve ose dashakeqësve për t‘i kthyer ato edhe në bomba të "pista" mënyra si i quajnë fizikanët të tilla manovra. Lëndët që ruhen në ish-Institutin e Fizikës Bërthamore janë mjekësore, të kërkimit shkencor dhe të industrisë. Nëse ato bien në duar të personave të paautorizuar mund të shpërndahen sipas një trafiku ilegal, mund të kthehen në armë më shumë se të rrezikshme, mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo qendër e rëndësisë të veçantë dhe super të veçantë nuk ruhet sipas rregullave, për të nuk kujdesen më si më parë ndërsa nuk dihet se si funksionon zinxhiri i shpërndarjes së informacionit në raste rreziku.

Por jo vetëm kaq, paralizimi i punës në IFB po lë të painformuar dhe ata persona që punojnë me skanerë, aparatura të rezonancës apo pajisje të tjera imazherike, të cilat mund të krijojnë rrezik për shëndetin dhe ndryshimin e ADN-së. Në kushtet ku asnjëri nga specialistët e përcaktuar për të matur rrezatimin e këtyre punonjësve, nuk mund të punojë, askush nuk e di nëse është i rrezikuar apo sa ka rrezikuar gjatë punës për shëndetin e tij. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ata laboratorë privatë, të cilët ofrojnë shërbime imazherike nuk dihet nëse rrezikojnë popullatën nga lëshimi i rrezatimit.

Për sa i takon nëse ka apo jo radioaktivitet si pasojë e shpërthimeve të armëve në Gërdec, Instituti i Fizikës Bërthamore do të jepte përgjigje të shpejtë dhe të saktë lidhur me përqendrimin e radioaktivitetit në ajër vetëm duke kryer monitorimet e rrjetit të emergjencave. Pas shkëputjes së fijeve elektrike, energjisë, ujit, telefonave dhe internetit. Pas mungesave të fondeve të reagjentëve dhe pajisjeve që vendosin në funksion mekanizmat e monitorimit, asnjë matje e ujit e tokës, apo e ajrit nuk mund të bëhet. Aq më pak mund të kryhet monitorimi i rrezatimit, i radioaktivitetit apo kontrolli i shumicës së ushqimeve. Aktualisht, këto analiza nuk realizohen.

Ruajtja, mbrojtja e materialeve radioaktive apo rreziku kombëtar e ndërkombëtar do të mbetet në ritmet aktuale, derisa të zgjidhet problemi i pagave në radhët e fizikanëve, që prej 4 muajsh nuk çojnë asnjë lekë në "arkën" e shtëpisë. Rrogat e tyre kanë mbetur peng i akteve nënligjore dhe kritereve përzgjedhëse për reformimin shkencor. Sa i takon kësaj pike, të gjithë punonjësit aktualë të IFB-së do të bojkotojnë aplikimet për sa i takon "konkursit" për të mbajtur vendin e punës dhe për të kaluar provën e reformës. Fizikanët e nderuar, aktualisht punonjës të Qendrës së Fizikës Bërthamore, ndihen tepër të ofenduar nga kriteri i vendosur nga strukturat drejtuese, për të dorëzuar listën e notave, në mënyrë që më pas të bëhet përzgjedhja. Mes punonjësve me grada shkencore, kriteri i përshtatshëm i zgjedhur nga strukturat kanë qenë fleta e notave të diplomës, që shumica e punonjësve të IFB-së e ka marrë para 30 viteve.

Tepër të indinjuar, punonjësit e IFB-së kanë bojkotuar aplikimet dhe këto kritere përzgjedhëse, ndërsa janë në pritje për të kryer takimin me Kryeministrin e vendit. Gjithashtu, ata janë në pritje të nxjerrjes së akteve nënligjore për sa i takon shpërndarjes së fondeve në adresë të projekteve të kërkimit shkencor dhe vlerësimit material të punonjësve. Sakaq, këta punonjës po presin ndarjen e të ardhurave për pagesat e faturave të energjisë elektrike, të telefonave dhe ujit. Lista e faturave të prapambetura e të papaguara nga IFB-ja ka bërë që KESH, Telekom, dhe Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të shkëpusin kontratën mes qendrës dhe të mos japin më shërbime për këtë institut.

Punonjësit e Qendrës së Fizikës Bërthamore kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemit të ruajtjes të lëndëve radioaktive, zgjidhje të reformës, nisjen e projekteve në fushën e kërkimit shkencor, pagat e prapambetura dhe afishim të listës përfundimtare të personave që do të qëndrojnë në punë, si dhe kushte normale për monitorimet rutinë, por që shërbejnë për sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, për sistemin e sigurisë, për mbrojtjen nga rrezatimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›