E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA u ofron ushtarëve afganë M-16, por trupat duan të përdorin armët e vjetra

Nuk ka kaluar kurrë, asnjë ditë, në këtë gjysmëshekullin e fundit, që në Afganistan të mos qëllohet kundër dikujt, e thuajse gjithnjë të shtënat dalin nga një grykë kallashnikovi. AK-47, arma më e famshme në botë, ka qenë protagoniste e luftës civile, e pushtimit sovjetik, e marrjes së pushtetit nga ana e talebanëve, e tentativave për t‘iu kundërvënë pushtimit amerikan dhe është deri më tani më e preferuara e rebelëve dhe e ushtarëve të ushtrisë afgane që luftojnë. Por, "një armë që ka mbushur 60 vjet jetë, është për t‘u nxjerrë në pension", kanë menduar gjeneralët e Pentagonit, duke nisur më pas në Kabul me mijëra arka me automatikë M-16, që të përdoreshin nga Ushtria Kombëtare Afgane. Kohët e fundit (edhe pse është gjithashtu një veterane e ‘63-shit), M-16 ka avantazhin e saktësisë më të madhe dhe mund të qëllojë më shumë se 900 plumba në minutë, kundrejt 600 të Kallashnikovit. Për shkak se përdoret edhe nga NATO e ushtarët amerikanë, përgjegjësit për furnizimet janë shumë të kujdesshëm. Por, strategët e Uashingtonit nuk kanë mbajtur parasysh, ashtu siç duhej, krenarinë ushtarake të aleatëve të tyre. Majkëll Evans, i dërguar i "Times"-it, ka asistuar në stërvitjen e parë të afganëve me armën e re, në Kamp Tombstone, në provincën e Helmandit. Të informuar se do të duhej të braktisnin kallashnikovët e tyre të dashur, ushtarët kanë reaguar keq e madje edhe me indinjatë. "Pse duhet të heqim dorë nga një armë me të cilën kemi turpëruar dhe mundur të gjithë pushtuesit gjatë 20 viteve të fundit? E në këmbim të saj çfarë do të marrim? Armët e të pafeve"? E duke rrotulluar në duar automatikët e rinj, shumëkush komentonte se ishin plastikë dhe siç e dinë të gjithë, gjërat e plastikës prishen gjithnjë. Stërvitja ka vazhduar me një humor të keq, në përgjithësi, dhe sigurisht do të jetë e vështirë të binden të gjithë ata që kanë jetuar me një kallashnikov në krah përgjatë tërë jetës, se është shpikur një armë më e mirë. AK-47 është i famshëm për shkak se mund të qëllojë në çfarëdolloj kushtesh, në mes të një stuhie shiu, dëbore apo rëre; në temperaturat polare të dimrit siberian, por edhe në "furrën pjekëse" të shkretëtirave. Mund ta mbash të groposur nën dhé për 10 vjet dhe kur e nxjerr qëllon menjëherë, si të ishte e re. Kur është i pisët, mjafton një vajosje dhe kthehet shkëlqyes si më parë. Jo rastësisht, pas rënies së perandorisë sovjetike u bë arma e të gjitha revolucioneve; kushton pak dhe nuk tradhton kurrë. Gjatë Luftës së Ftohtë, sovjetikët dërguan disa mijëra armë në Vietnam, në Nikaragua dhe në dhjetëra regjime të tjera komuniste. Më shumë se 50 ushtri kanë sanksionuar AK47-ën si armën zyrtare dhe profili i saj i pangatërrueshëm ka përfunduar deri në flamurin e Mozambikut, atë të hezbollahëve dhe në simbolet e Zimbabvesë, Timorit Lindor, Burkina Fasos dhe rojave revolucionare iraniane. Emri i tij është kaq popullor në Afrikë, sa që shumë fëmijë janë quajtur "Kalash", edhe sepse mësojnë t‘i përdorin shumë shpejt. Instruktorët amerikanë dhe britanikë janë të vendosur ndërkohë ta "fitojnë betejën". "U kemi shpjeguar afganëve, ka komentuar majori Robert Armstrong i regjimentit mbretëror irlandez, që M-16 është më i lehtë dhe më i saktë. AK-47 është një armë e mirë, por nuk ka tolerancë. Ata duhet të mësohen". Gjithsesi, nuk është e thënë se do të mund ta bëjnë këtë. Në qëllimet e Uashingtonit, ndryshimi i armëve duhet të jetë hapi i parë drejt një modifikimi të thellë në mënyrën e luftimit të afganëve. Kur ata përballen me armikun, qëllojnë në vazhdimësi duke e mbajtur kallashnikovin në një lartësi të caktuar dhe thuajse gjithnjë mbarojnë municionet para se të jetë siguruar fitorja. M-16 nuk qëllon me breshëri të vazhdueshme, por në seri me nga tre të shtëna, mbështetet në sup dhe merret shënjestër. Zyrtarët perëndimorë shpresojnë se me armën e re ushtria e Kabulit do të mund të kursejë municione dhe do të bëjë më efikase veprimtaritë e saj. Por, për afganët, të luftosh në këtë mënyrë, është kundër natyrës. Që nga kohët e Aleksandrit të Madh, kanë dëbuar gjithnjë pushtuesit, sipas mënyrave të tyre, dhe tani vjen dikush që beson se mund ta dijë se si bëhet kjo dhe kërkon të imponohet. Nuk do të binden kurrë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›