E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Gërdecit, centrali bërthamor mbetet në harresë

Para shpërthimit të fabrikës, ku demontoheshin predha të kalibrit të lehtë e të rëndë, në një takim dypalësh të ekspertëve shqiptarë dhe atyre italianë u diskutua rreth një projekti më shumë se ambicioz. Në këtë takim u hodh ideja për ngritjen e një centrali bërthamor, që do të fshinte problemet e energjisë së Shqipërisë dhe Italisë. Llambushka, që u ndez një muaj më parë, nuk ka lëshuar më dritë pas problemeve me "tonelatë", që solli tragjedia e Gërdecit. Megjithatë, Akademia e Shkencave ka përgatitur diçka lidhur me projektin bërthamor në Shqipëri. Deri tani, ky projekt ka mbetur në sirtar dhe nuk pritet të nxirret derisa të zgjidhen problemet me "bukën" e fëmijëve të punonjësve të Institutit të Fizikës Bërthamore. Sipas tyre, për ngritjen e një centrali bërthamor, duhet të kryhen matje 3 deri në 5 vjet para realizimit të një ambicie të tillë. Megjithatë, asgjë më shumë nuk është diskutuar as nga miqtë italianë dhe as nga përfaqësuesit e IFB-së. Ata tani janë duke u marrë me dorëzimin e fletëve të notave, kritere të kërkuara nga strukturat më lart, ndërsa janë të ngarkuar emocionalisht për mosdhënie të kontributit të tyre në shtëpi për rreth 4 muaj. Sakaq, tashmë që në Itali fitoi koalicioni i djathtë, priten zhvillime të reja për sa i takon centralit. Pak kohë më parë, elementi i këtij koalicioni, Xhulio Tremonti, deklaroi se: "Italia do të ndërtojë centrale bërthamorë në vendet fqinje si Shqipëria dhe Mali i Zi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›