E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndohet Shala

Nëse punët po i shkojnë mirë me rezultate, kjo nuk do të thotë se klubi italian Novara nuk po përballet me probleme të lëndimeve. Pas Samir Ujkanit, kësaj radhe listës së emergjencës së ekipit nga Serie C italiane i është shtuar mesfushori kosovar Rijat Shala.

Sipas ueb faqes italiane datasport.it, 26 vjeçari ka lënduar nofullën dhe pritet të operohet nga çasti në çast nga doktorët Benech e Brucoli. Shala, i cili ka pasaportë zvicerane, pritet të mungojë për një kohë të gjatë. Madje, gjithnjë duke iu referuar ueb faqes italiane, mesfushori ofanziv mund ta përfundojë sezonin para kohe.

Shala pati një sezon mjaft të mirë me Novaran, pas disa problemeve që pati vitet e kaluara me lëndime dhe me mosmarrëveshje me ish klubet e tij. Sido që të jetë, Novara e pret me padurim rikthimin e tij sezonin që vjen, kur ky klub pritet të garojë në Serie B italiane, pasi po shkon me hapa të sigurt drejt ligës së dytë italiane.

Rikthehet Ujkani

Samir Ujkani pritet të rikthehet gjatë kësaj fundjave pas mungesës prej tri javësh, për shkak të operimit që pati në miniskus. Këtë e ka bërë të ditur vetë portieri kosovar për Express. Ai mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Leccos, ndërsa ueb faqja datasport.it shkruan se rikthimit i tij ishte më i ngadalshëm se që ishte pritur.

Gjatë kësaj periudhe, përfaqësuesin shqiptar e ka zëvendësuar veterani italian Alberto Fontana. Ujkani pritet të rikthehet të dielën në ballafaqimin e Novaras në shtëpi me ekipin Foligno.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›