Leo Mesi fshihet në kabinën e pilotit
Ndonjëherë nuk ta leverdis të jesh i famshëm. Ndonjëherë do të ishte më mirë që të vendosje në kokë një parruke dhe ndonjë palë mustaqe false. Sigurisht, këtë ka menduar Lionel Mesi kur e ka mbyllur në mënyrën më të keqe transfertën në Amerikë të Jugut, ku luajti me Argjentinën dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Pas fitores ndaj Kilit, mbërriti humbja befasuese ndaj Venezuelës, që triumfon për herë të parë në histori ndaj skuadrës së tangos. Sikur të mos mjaftonte kjo, Mesi pati edhe një aventurë të parehatshme në një fluturim të panjohur. Nga qyteti venezuelian i Barcelonës, drejt kryeqytetit Karakas, ylli i futbollit botëror kishte prenotuar një fluturim unik. Sigurisht që u rrethua menjëherë nga të apasionuar të çmendur pas tij që donin autografe apo edhe fotografi. Sipas të përditshmen “el Universal”, Mesi është detyruar që të udhëtojë në kabinën e pilotimit.
Megjithatë, kujdes: Mesi ka hipur në avion i fundit fare, pasi të gjithë pasagjerët ishin rehatuar në vendet e tyre. Ndërsa ishte i fshehur në një dhomëzë, ai ka pritur që të fikeshin dritat në avion dhe më pas të rehatohej në kabinën e pilotit. Një trajtim i privilegjuar ky nëse marrim parasysh se nuk ka qenë kështu për Maskeranon, Denis dhe Banegën, që ishin në të njëjtin fluturim. Por pasi mbërriti në Karakas, për Mesin ka qenë e pamundur që të fshihej. Ai, “Topi i Artë”, u vu në dispozicion të fansave përpara se të udhëtonte për në Spanjë.