Ja procedurat që duhen ndjekur për të birësuar një fëmijë
Avushe Zhuka
Komiteti Shqiptar i Birësimeve përcakton procedurat që çdo aplikant duhet të ndjekë për të kryer një birësim. Ja cilat janë procedurat që duhet të ndjekë çdo çift për të kryer birësime brenda vendit dhe birësime ndërvendase. Ky institucion bën të ditur se të gjithë aplikantët për birësime brenda vendit duhet të kalojnë nëpër këto procedura. Së pari duhet bërë regjistrimi në listën e këshillimit, i cili realizohet në tri seanca. Në seancën e fundit aplikanti tërheq formularin, plotëson dosjen me dokumentet e duhura dhe më pas i dërgon pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit. Studimi i aplikimit përfundon brenda 45 ditëve dhe pas kësaj aplikantit i kthehet një përgjigje. Për aplikantët jashtë vendit, plotësimi i dosjes me dokumentet e duhura si dhe studimi i familjes bëhet nga agjencia përkatëse. Dosja që duhet të dorëzojë një aplikant për birësim përmban 11 dokumente: kërkesën me motivimin e birësimit, të dhënat personale, të dhënat për gjendjen civile, vërtetimin e gjendjes gjyqësore, të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes, raportin mjekësor, vërtetimin e pronësisë, vërtetimin për gjendjen ekonomike, vërtetim nga organet e njësisë ku banon dhe deklaratën ku familja tregon se është e gatshme të ndërmarrë këtë hap.
Kandidatura
Vetëm të miturit e braktisur nga mosha 0-18 vjeç janë kandidatura për birësim. Sipas KSHB-së, parim udhëheqës në çdo birësim të mundshëm është “Një familje për fëmijën” dhe jo e kundërta. Nëpërmjet birësimit vendas dhe atij ndërvendas mund të birësohen vetëm fëmijët që ndodhen në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimeve. Për secilin prej tyre Komiteti disponon një dosje me dokumente, të cilat përgatiten nga institucione publike ose private ku ndodhet, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në intervale kohore të caktuara dhe në varësi të gjendjes shëndetësore të fëmijës, institucioneve u kërkohet plotësim ose rifreskim dokumentacioni. Në rast se fëmija që pret të birësohet ka mbushur moshën 10 vjeç, i merret mendimi dhe kur është mbi moshën 12 vjeç i kërkohet pëlqimi. Nëpërmjet Komitetit Shqiptar të Birësimeve, bazuar në Kodin e Familjes, bëhet i mundur edhe birësimi i fëmijëve nga të afërmit (rrethi familjar) i tyre. Në këto raste jepet pëlqimi për birësim nga prindërit biologjikë, përpara gjykatës së rrethit dhe me pas përgatiten dokumentet në bazë të Ligjit Nr. 9695, datë 19.03.2007 për prindërit biologjikë, prindërit birësues dhe fëmijën.
Procedurat e birësimit brenda vendit
Të gjithë aplikantët për birësim regjistrohen në listën e këshillimit pranë zyrës së marrëdhënieve me publikun. Këshillimi realizohet në tri seanca me intervale kohore dyjavore, përkatësisht nga punonjësi social, psikologu dhe seanca e tretë nga juristi. Në seancën e tretë tërhiqet formulari me dokumente që duhet të plotësojë aplikanti duke marrë udhëzimet e duhura nga juristi. Pasi të kenë plotësuar dosjen e tyre me dokumentet e duhura e dërgojnë atë pranë Komitetin Shqiptar të Birësimeve. Në momentin që dosja vjen në KSHB ajo regjistrohet dhe hyn në listën e aplikantëve në pritje. Në këtë moment fillon studimi i aplikantit birësues nga sektori psiko–social, që synon në vlerësimin e aplikantit në lidhje me motivimin, birësimin dhe prindërimin e tyre. Ky studim duhet të përfundojë brenda 45 ditëve nga data e regjistrimit të dosjes dhe kryhet nëpërmjet:
- intervistave me punonjësin social;
- intervistave me psikologun;
- investigimit të kushteve të shtëpisë;
- vërtetësisë së dokumentacionit që është paraqitur nga aplikanti. Pasi të jetë përpunuar nga sektori psiko–social ky studim paraqitet në mbledhjen e radhës dhe Këshilli Drejtues vendos nëse çifti pranohet si familje e ardhshme apo jo, nëpërmjet vendimit të përshtatshmërisë. Nëse përgjigjja është “Po”, çifti është në pritje të marrjes së vendimit të birësimit të fëmijës, pas së cilit pajiset me një autorizim për të hyrë në institucion për t’u familjarizuar me fëmijën, e propozuar në këtë mbledhje. Kur aplikanti birësues është plotësisht dakord me fëmijën e propozuar dhe ka kaluar periudhën e provës të përcaktuar në vendim, vazhdon procedura për finalizimin e birësimit pranë gjykatës së rrethit.
Procedurat e birësimit jashtë vendit
Në bazë të Kodit të Familjes dhe të Ligjit Nr. 9695, datë 19.03.2007, shtetasit e huaj i drejtojnë kërkesat e tyre për birësim të fëmijëve shqiptarë tek agjencitë e autorizuara të shteteve të tyre që bashkëpunojnë me KSHB në fushën e birësimit ndërvendas. Plotësimi i dosjes me dokumentet e duhura si dhe studimi i familjes bëhet nga agjencia përkatëse. Nëpërmjet kësaj agjencie KSHB merr dosjen e plotë të çiftit së bashku me relacionin përkatës, albumin fotografik të familjes birësuese si dhe kërkesën e çiftit drejtuar KSHB. Po ashtu, nëpërmjet kësaj agjencie, çifti njihet me dosjen e propozuar nga KSHB dhe me pas, po nëpërmjet saj, dërgon në Komitet miratimin për këtë birësim. Miratimi i birësimit nga ana e KSHB-së bëhet në mbledhjen e tij të radhës, ku në ndryshim nga procedura për birësim vendas, në këtë rast merret një vendim për daljen për birësim ndërvendas të këtij fëmije e me pas vendimi i birësimit nga çifti përkatës.
Periudha pasbirësuese
Pas finalizimit të birësimit është detyrë e Komitetit Shqiptar të Birësimit të ndjekë përshtatshmërinë e fëmijës në familjen birësuese, e cila shoqërohet me plotësim formularësh të shoqëruar me fotografi nga punonjësit e institucionit apo edhe me vizita të specialistëve të KSHB-së në shtëpitë e tyre. Kjo është përsa i takon birësimit vendas. Për birësimin ndërvendas raporti pasbirësues vjen nga agjencia e huaj me të cilën bashkëpunon KSHB në afate të përcaktuara në marrëveshjen dypalëshe.
Dokumentacioni që duhet të plotësojë aplikanti birësues
Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesën me motivimin e birësimit.
2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.
3. Të dhënat për gjendjen civile, si certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.
4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.
5. Të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes.
6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.
7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.
8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.
9. Vërtetimin për gjendjen ekonomike dhe sociale.
10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale.
11. Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.
Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet
1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni shërben për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.
2. Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet përmban:
a) certifikatën e lindjes;
b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij;
c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;
ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi i vet;
d) certifikatat e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;
dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzëninë dhe lindjen;
e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin ose vendimin gjyqësor që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;
ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka dhe të dhëna për kushtet në të cilat ka jetuar;
f) hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.
3. Data e lëshimit të raportit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, duhet të jetë jo më parë se dy javë nga data e dorëzimit në Komitet e dokumentacionit për birësim.
10 Korrik 2010