Lepenci në Superligë

Lepenci e ka bërë një hap historik duke u inkuadruar në Superligën e Kosovës në futboll pas 19 vjetësh. Kaçanikasit kanë fituar ndaj Ballkanit 1:0 me golin e Xhevdet Shabanit, në ndeshjen e barazhit. Therandasit i bashkohen Ferizajt e Flamurtarit në Ligën e Parë.
Kaçaniku ka arsye të festojë. Ky qytet është mburrur të enjten kur Lepenci arriti ta bëjë një hap historik duke u inkuadruar në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll pas 19 vjetësh. Kaçanikasit ishin më të suksesshëm se Ballkani, të cilin e mposhtën me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e barazhit, e cila kishte peshën e, hiç më pak se Superligës.
Lepenci e realizoi golin e epërsisë dhe atë vendimtar në minutën e shtatë përmes Xhevdet Shabanit. Ekipi nga Liga e Parë e ruajti këtë avantazh deri në fund të takimit, duke e shënuar njërën ndër fitoret më të madha në histori të klubit, në ndeshjen e cila u zhvillua në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“I përgëzoj lojtarët e mi për lojë burrërore dhe realizimin e konceptit të lojës qysh e patëm parashikuar në fillim. Është thënë se Ballkani është favorit në këtë takim, por me angazhimin e të gjithë lojtarëve, duke i zbatuar në përpikëri detyrat, mendoj se më meritë e fituam këtë takim”, tha pas ndeshjes i emocionuar trajneri i Lepencit, Selajdin Zeneli.
Kaçanikasit u mbështetën nga tifozët e tyre të flaktë ‘ Fikshat’, ndërsa lojtarëve therandas nuk u ndihmuan as tifozët e tyre ‘Xhebrailat’, pasi zhgënjyen me lojë. “Lojtarët e mi më zhgënjyen tërësisht në këtë lojë. Lepencit ia uroj fitoren”, ishte i shkurtër trajneri i Ballkanit, Zymer Elshani.
Lepenci i bashkohet Dritës dhe Gjilanit në Superligë, kurse Ballkani e ndoqi rrugën e Ferizajt e Flamurtarit, në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.