E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllaznimi mbetet pa kryesi

Nga Express më 17 qershor 2011 në ora 11:30

Vëllaznimi assesi nuk po e gjen rehatinë. Edhe pse në xhiron e fundit ia doli ta sigurojë mbijetesën në Superligën e Kosovës në futboll, skuadra gjakovare sërish është futur në telashe.

Me të përfunduar kampionati, kryetari i klubit, Agim Koci, me gjithë anëtarët e tjerë të kryesisë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. Në këtë mënyrë, klubi kuq e zi ka mbet pa zot shtëpie dhe është në pritje të afaristëve gjakovarë.

Duhet theksuar se kryesia e Vëllaznimit deri më tani përbëhej nga zyrtarë të Kuvendit Komunal të Gjakovës. Madje, kryetari i deritanishëm i klubit, Agim Koci është nënkryetar i kësaj komune.

“Kryesia ka dhënë dorëheqje me të përfunduar kampionati. Kjo pasi zyrtarët komunalë e kishin të vështirë që përveç detyrave që i kanë për t’i kryer në Komunë të merren edhe me punë tjera shtesë të klubit. Këtë vendim ata e kanë bërë për të mirën e klubit, në mënyrë që t’u hapet rruga sa më herët donatorëve të interesuar për ta mbajtur klubin, në mënyrë që edicionin e ri ta nisim sa më të organizuar”, tha menaxheri i Vëllaznimit, Ahmet Morina.

Sipas tij, Komuna e Gjakovës është e përkushtuar që edhe në të ardhmen t’i ndihmojë donatorët e rinj, të cilët do ta marrin mbi supet e tyre mbajtjen e klubit gjakovar. Ai mbetet me shpresë që të formohet sa më shpejt kryesia e re e klubit, me qëllim që të riorganizohet klubi me kohë, para se të nisë edicioni i ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›