E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i Ballackut

Michael Ballack nuk do të luajë më kurrë për Kombëtaren e Gjermanisë. Mesfushori 34 vjeç për një kohë të gjatë ka qenë kapiten i skuadrës, por nuk do të jetë pjesë e saj në të ardhmen, ka njoftuar Federata gjermane e Futbollit. Ballack nuk ka luajtur për Gjermaninë nga marsi i vitit 2010. Nga Express më 17 qershor 2011 në ora 11:19

Karriera e kapitenit afatgjatë të Gjermanisë, Michael Ballack me ekipin kombëtar ka marrë fund, ka njoftuar Federata gjermane e Futbollit të enjten, duke i dhënë fund muajve të spekulimeve rreth të ardhmes së tij.

Mesfushori 34 vjeç bëri 89 paraqitje, por nuk ka luajtur për Gjermaninë në më tepër se një vit dhe mungoi në shtatë muaj si rezultat i një lëndimi në nyje, përfshirë Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut, ku Gjermania përfundoi e treta.

Ballack, i cili ka shënuar 42 gola gjatë karrierës së tij me Gjermaninë, që filloi në prill 1999, kurrë nuk ka fituar ndonjë titull të rëndësishëm me ekipin kombëtar. Ai ishte kapiten i Gjermanisë në 55 ndeshje.

Në komunikatën e Federatës nuk kishte ndonjë reagim nga mesfushori i Leverkusenit. Selektori Joachim Loew kishte mbajtur Ballackun si kandidat për kapiten, por e la atë jashtë ekipit në kohën e fundit, pavarësisht paraqitjeve të tij të mira në fazën përfundimtare të sezonit në Bundesligë.

Mirëpo, të enjten Federata njoftoi se Ballack nuk do të jetë pjesë e ekipit në të ardhmen, edhe pse do të kishte pasur dëshirë që ai të zhvillonte edhe një ndeshje, të fundit si kapiten në miqësoren kundër Brazilit më 10 gusht.

Loew tha se muajt e fundit kanë sjellë shumë futbollistë të rinj që kanë “potencial të mirë”.

“Në bisedat tona kisha përshtypjen se Michael e kupton mjaft mirë këndvështrimin tonë”, tha Loew. “Andaj në interes të të gjithëve u mor një vendim i sinqertë dhe i drejtë”, shtoi ai. Trajneri lavdëroi arritjet e Ballackut gjatë gati një dekade me ekipin kombëtar, duke thënë se “ai ka merita të mëdha në suksesin e ekipit nga Kampionati botëror 2002”, ku Ballack i ndihmoi Gjermanisë të arrijë në finale.

Ai mungoi në humbjen 2-0 nga Brazili në finale për shkak të suspendimit. Katër vite më vonë, Gjermania përfundoi e treta si nikoqir i garës.

“Ai shënoi një epokë. Si kapiten gjithmonë është vënë në dispozicion të ekipit”, theksoi Loew.

Ekipi i ri i Loewit pothuajse ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin evropian të vitit të ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë. Ai ka regjistruar shtatë fitore nga shtatë ndeshje kualifikuese. Ballack luajti në finalen e Kampionatit evropian 2008, ku Gjermania u mposht 1-0 nga Spanja.

Ndeshja e tij e fundit me Gjermaninë ishte në mars 2010, humbje 1-0 nga Argjentina në miqësore. Në shkallën e klubeve, Ballack u paraqit në Kaiserslauter, Bayer Leverkusen, Bayern Munich dhe Chelsea. Pas skadimit të kontratës së tij në Chelsea, Ballack u kthye në Leverkusen dhe dështoi të zë vend në formacionin bazë pas rikuperimit nga lëndimi në nyje.

Por, ai përfundoi fuqishëm sezonin. Ndërhyrja, që në fund doli se ia përfundoi karrierën e tij me Gjermaninë, ndodhi në finale të FA Cup dhe ishte shkaktuar nga një ish futbollist i Bundesligës, Kevin-Prince Boateng.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›