E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, hero i Kalmarit

E gjithë Suedia është ngritur në këmbë për Etrit Berishën. Portieri kosovar është shpallur hero i Kalmarit, pasi ishte më meritori për kualifikimin në gjysmëfinale të kupës. Prishtinasi ka pritur dy penallti ndaj Malmos, ndërsa e ka realizuar atë vendimtare, pasi më parë loja e rregullt përfundonte baras, 1:1. Nga Express më 17 qershor 2011 në ora 11:24

Etrit Berisha ka qenë hero i Kalmarit të mërkurën mbrëma, duke ia siguruar ekipit të tij gjysmëfinalen e Kupës së Suedisë, pasi në çerekfinale e eliminuan Malmon. Portieri kosovar ka pritur dy penallti, pasi që loja e rregullt përfundonte baras, 1-1.

Përpos që priti 11 metërshat, Berisha ishte ai që e vendosi takimin, duke shënuar golin e pestë të Kalmarit për rezultatin përfundimtar 5:4 pas ekzekutimit të penalltive.

“Kam ushtruar para lojës për ta goditur penalltinë. Falënderoj trajnerin që pati besim në mua që ta godas penalltinë vendimtare. Para se të gjuaja, isha paksa nervoz. Por, kisha besim në vetvete dhe e dija se mund të shënoja, isha i koncentruar maksimalisht. Është ndjenjë e mirë që e pata mundësinë ta ndihmoj skuadrën që të ecën përpara”, tha Berisha pas ndeshjes.

Prishtinasi e pranon se kjo ishte një ndeshje e vështirë e Kalmarit, pasi që kishte përballë kampionin aktual të Suedisë, Malmo. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne. Jam i lumtur që fituam dhe që munda ta ndihmoj skuadrën. Kemi ecur përpara, kjo është gjëja më e rëndësishme”, shtoi Berisha.

Golin për Kalmarin e realizoi Abiola Dauda në minutën e 52-të, kurse për Malmon realizoi Amin Nazari, 12 minuta më vonë. Te Kalmari, mbrojtësi Liridon Leci nuk u inkuadrua në lojë fare.

Kurse, Dardan Rexhepi luajti gjatë tërë ndeshjes për Malmon, ndërsa mungoi Agon Mehmeti për shkak të lëndimit. Fitues në fuqi i këtij trofeu në Suedi është Helsingborgu i Adrian Gashit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›