E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lepenci nuk refuzohet

Muharrem Sahiti do ta drejtojë Lepencin në sezonin pranveror. Sipas trajnerit gjilanas, tifozët Fikshat ishin arsyeja kryesore për ta pranuar ofertën e klubit kuqezi. Ai thotë se objektiv i kaçanikasve është mbijetesa në Superligë.

Skuadra e Lepencit nuk ka pritur gjatë për ta gjetur pasardhësin e Arsim Abazit, i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit, të mërkurën.

Skuadrën nga Kaçaniku në pjesën e dytë të kampionatit në Superligë, do ta drejtojë Muharrem Sahiti, i cili në vjeshtë udhëhoqi skuadrën e Gjilanit.

Edhe pse ende nuk e ka finalizuar marrëveshjen, Sahiti ka folur si trajner i Lepencit. Sipas gjilanasit, tifozët Fikshat ishin arsyeja kryesore për ta pranuar ofertën e klubit kuqezi.

“Ende nuk e kam finalizuar marrëveshjen, por besoj që kjo do të përfundojë me sukses të dielën. Këtë sezon nuk kam menduar të drejtoj ndonjë skuadër, por oferta e Lepencit më ka bërë të mendoj. Atmosfera e zjarrtë që krijohet nga tifozët Fikshat është diçka e veçantë. Ata tifozë janë pasuria më e madhe e klubit”, ka thënë Salihi për Express.

Lepenci sezonin vjeshtor e ka përmbyllur në vendin e shtatë me 22 pikë të tubuara, shtatë më shumë sesa KEK’u që ndodhet në fundin e tabelës. Sipas Sahitit, objektiv kryesor i klubit kaçanikas do të jetë mbijetesa në Superligë.

“Sezoni pranveror nuk do të jetë edhe aq i lehtë, edhe pse Lepenci ka 22 pikë. Objektiv i kubit është mbijetesa. Të gjitha forcat do të përqendrohen në këtë drejtim dhe besoj se do t’ia dalim me sukses”, ka thënë ai.

Sahiti, i cili pritet ta drejtojë klubin deri në fund të sezonit, ka treguar se e njeh skuadrën dhe futbollistët e Lepencit.

Ndërkohë, tifozët Fikshat, me të kuptuar emrin e trajnerit të ri, i kanë dëshiruar mirëseardhje Sahitit në klubin nga stadiumi ‘Besnik Begunca’.

“Ne si Kryesinë e Fikshave mirëpresim tashmë trajnerin e ri të skuadrës tonë të zemrës, Muharrem Sahitin, të cilit i dëshirojmë shumë suksese, dhe me një bashkëpunim të përbashkët do të vazhdojmë drejt sukseseve të reja", ka thënë kryetari i Fikshave, Jeton Matluma.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›