E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riorganizohet Ferizaj, synon Superligën

Drejtuesit e klubit të Ferizajt janë zgjuar nga gjumi. Klubi bardhekaltër ka filluar të mobilizohet pra fillimit të stinorit pranveror në Ligën e Parë të Kosovës.

Trajner i ri i ekipit është emëruar Arsim Abazi, i cili në stinorin vjeshtor drejtoi Lepencin.“Kam arritur marrëveshje, që ta drejtojë Ferizajn deri në fund të sezonit”, tha Abazi për Express.

Por Ferizaj nuk do të ndalet me kaq. Ata po synojnë që në skuadër të rikthejnë disa lojtarë që kanë bartur barrën kryesore të klubit në vitet e fundit, si Burim Qerkinin, Betim Haxhiusën, Fisnik Halimin (Lepenc), Burim Shabanin (Gjilan), Agron Istrefin (Ballkan) dhe Besfort Sopan (Viti).

“Kemi biseduar me udhëheqësin klubit dhe kemi vendosur që lojtarët që janë të Ferizajt, e që luajnë në klube të tjera, t’i rikthejmë në skuadër. Tash do të shohim se sa do t’ia arrijmë qëllimit”, ka shtuar Abazi.

Ferizaj pjesën e parë të kampionatit në Ligën e Parë e ka përfunduar në vendin e tretë me 23 pik të tubuara, 11 më pak sesa lideri Ferronikeli.

“Nuk e kemi me çdo kusht të rikthehemi në Superligë. Ne do të mundohemi, por nëse nuk e arrijmë, atëherë do ta bëjmë ekipin që sezonin e ardhshëm të hyjmë në Superligë”, ka përfunduar Abazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›