E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Les Femmes”, tinguj xhazi në Tiranë

“Les Femmes” është emri i bandës hollandeze që ka interpretuar dje në në orën 19:00 në skenën e Akademisë së Arteve, në kryeqytet. Kuarteti i vajzave performoi një repertor të pasur me pjesë të njohura të muzikës botërore, jo në versionin origjinal por nën tingujt e ngrohtë të muzikës jazz. “Ne si organziatorë jemi të fokusuar që përveç produktit muzikor të mirëfilltë, të kënaqim dhe shijet e publikut. Duam që t’i afrohemi disa grupeve të caktuar të publikut me një formulë të re. Pra nuk është vetëm fakti që po këndohet thjesht “ I chaine my heart”me një grup vokal, por futja e ansambleve vokale në Shqipëri ka shumë rëndësi sepse në shkollat tona ajo mësohet pak”- shprehet Pjetër Guralumi, organizatori i mbrëmjes dhe drejtuesi i shoqatës “Miqtë e muzikës”. Ky grup vjen në Shqipëri në kuadër të “Klasik”, edicionit të nëntë të sezonit koncertor ndërkombëtar të muzikës. Ndërkohë që, sot në orën 18:00 “LesFemmes” këndojnë në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier. “Kjo mund të jetë edhe një nga nxitjet për shumë zëra të talentuar që ekzistojnë në Shqipëri në skenën e muzikës së lehtë, pop apo xhaz. Ka zëra të mrekullushëm në vedin tonë që mbajnë jetën e kësaj gjinie. Ky është një element plus për treguar modele dhe për të dhënë shembuj tek të rinjtë tanë dhe për ansamblet e tjera, pasi në vendin tone ka zëra shumë interesantë”- përfundon Guralumi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›