E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Kombëtar i Fëmijëve, larmi shfaqjesh për festat e fundvitit

Teatri Kombëtar i Fëmijëve do të prezantohet në festat e fundvitit me një shfaqje disi të veçantë, ku do të ketë ndërthurje midis këngëtarëve, aktorëve dhe balerinëve. Drejtoresha e Teatrit, Klaudia Hila tha se shfaqja për festat e fundvitit, e cila do të nisë në skenën e teatrit në datën 20 dhjetor deri në fund të muajit, është konceptuar në formën e një spektakli, ku ndërthurja e këngëtarëve, balerinëve dhe aktorëve tanë do të sjellë magjinë e festave. Spektakli do të sjellë në skenë të gjithë personazhet më të spikatur të teatrit, ku Hila veçon si më interesante, një kuti shumë të bukur dhe e magjishme, që do të bjerë nga lart dhe prej saj do të dalin dhurata për fëmijët. Në spektakël marrin pjesë të gjithë aktorët e teatrit si: Florinda Mazreku, Marilda Furrxhiu, Shegushe Bebeti, Alma Pina, Sokol Myzeqari, Donika Ramollari, etj. Vetë spektakli vjen nën regjinë e Klaudia Hilës, skenografi të Tonin Prendi dhe butafore Matilda Mehmetaj. Sipas Hilës, e gjithë festa do të organizohet për fëmijët e kryeqytetit, të cilët do të vijnë në fundjavë, krahas organizimeve në ditët e javës nëpër kopshte dhe shkolla të ndryshme të Tiranës. Gjithashtu ajo veçon disa specifika për fëmijët e rrugës një bashkëpunim me fondacionin “Save the children”, në të cilin ata do të kenë interpretimet e tyre. "Por do të mundohemi që edhe fëmijët e rrugës të jenë pjesë e shfaqjes tonë", tha Klaudia Hila. Por në shfaqje do të ketë gjithashtu të ftuar edhe fëmijët e policëve të vrarë, që do të interpretojnë numrat e tyre, fëmijët e “Zyber Hallunit” si dhe nxënës nga shkolla e shurdh-memecëve. ”Duke patur parasysh që festat duhet të jenë të tilla për të gjithë, kemi menduar që edhe këta lloj targete fëmijësh të cilët e kanë të pamundur ardhjen e tyre, ta kenë një festë dhe një gëzim”, përfundon Hila

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›